SHBA: Rusia, 18 mijë trupa të gatshme

22/08/2014 00:00

Rusia ka 18 mijë trupa ushtarakë “gati për luftë” në kufirin e saj me Ukrainën lindore, një rritje e ndjeshme nga shifrat e mëparshme publike të bëra të ditura nga Pentagoni, bën të ditur gjatë së premtes një zyrtar amerikan i Mbrojtjes, i cili është ka akses ndaj informacioneve të fundit.

Ai i përshkroi këto njësi si “një qëndrim tërësisht të gatshëm për ofensivë”. Një tjetër zyrtar amerikan tha se shumë prej këtyre njësive ishin pozicionuar në “kryqëzime dhe qendra banimi”, të cilat janë 2 deri në 10 milje nga kufiri.

“Ata janë përfundimisht më të dukshëm, më agresivë dhe shfaqen haptazi”, tha zyrtari. “As nuk e vrasin mendjen për t’u fshehur”.

Zyrtari i dytë amerikan tha se SHBA-të besonin prej javësh se disa trupa ruse kanë kaluar kufirin, si pjesë e autokolonës me veshje ushtarake dhe armë që po lëviz nga Rusia brenda Ukrainës. I një shqetësimi të veçantë është transporti i atyre që duken se janë sisteme të avancuara dhe me rreze të gjatë, përfshi dy sisteme SA-22 raketash tokë-ajër, si dhe një numër pjesësh të ndryshme artilerie të rëndë me rreze të gjatë veprimi.

Rasmussen: NATO, e alarmuar nga forcat ruse

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, deklaroi të premten se aleanca ka mbikqyrur një numër alarmues të forcave tokësore ruse, por edhe atyre ajrore, shumë pranë kufirit me Ukrainën.

“Kemi parë gjithashtu transferimin e sasive të mëdha të armëve të avancuara, përfshi tanke, autoblinda personeli, si dhe artileri të tjera ndaj grupeve të separatistëve, në Lindje të Ukrainës”, tha Rasmussen në një deklaratë të tij.

Ai shtoi se Rusia vazhdon të përshkallëzojë krizën në Ukrainën lindore, dhe se kjo mund të çojë në izolimin e mëtejshëm të Moskës. Rasmussen dënoi dërgimin e të ashtuquajturës “autokolonë ndihmash humanitare” të Rusisë në brendësi të Ukrainës, pa mirëkuptimin e autoriteteve ukrainase dhe pa përfshirjen e Komitetit ndërkombëtar të Kryqit të Kuq.

Top Channel