Pillay kritikon ashpër Këshillin e Sigurimit

22/08/2014 00:00

Komisionerja e OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Navi Pillay ka kritikuar ashpër Këshillin e Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për dështimin në parandalimin e konflikteve mbarë botërore.

“Përgjegjësia më e madhe nga Këshilli do të kishte shpëtuar qindra mijëra jetë”, tha Pillay në një takim të trupit 15 anëtarësh.

Ajo tha se interesi kombëtarë kishte marrë vazhdimisht përparësi ndaj vuajtjeve njerëzore dhe paqes në botë.

“Parandalimi i konfliktit është kompleks, por kjo mund të arrihet. Asnjë nga këto kriza nuk shpërtheu pa paralajmërim, ato u ndërtuan gjatë viteve dhe dekadave”, shtoi Pillay.

Ky reagim i shefes së të Drejtave të Njeriut vjen vetëm pak ditë para përfundimit të mandatit të saj 6 vjeçar.

Ndërsa, Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-moon ishte më i butë në kritikën e tij, por pranoi se është koha për një epokë të re bashkëpunimi dhe veprimi të Këshillit të Sigurimit.

Top Channel