Ndihmat ruse “pushtojnë” Ukrainën

22/08/2014 00:00

Ukraina njoftoi të premten nisjen nga ana e Rusisë të asaj që Kievi e konsideroi një “invazion të drejtpërdrejtë” në territorin ukrainas, pasi Moska dërgoi një autokolonë kamionësh me ndihma përtej kufirit lindor të Ukrainës, ku rebelët pro-rusë po luftojnë kundër forcave qeveritare.

Moska, e cila ka me mijëra trupa të dislokuara pranë kufirit me Ukrainës, paralajmëroi kundër çdo përpjekjeje për “të ndalur” autokolonën, që sipas tyre janë pjesë e një operacioni tërësisht humanitar, por nuk dha detaje se çfarë veprimesh do të ndërmerrte nëse ushtria ukrainase do të ndërhynte.

Bashkimi Europian nxiti Rusinë të tërhiqet nga ajo që u quajt një shkelje e pastër e kufirit ukrainas. Presidenti i Ukrainës, Petro Poroshenko, e përshkroi hyrjen e kamionëve pa lejen e Kievit si një “shkelje flagrante e ligjeve ndërkombëtare”. Por, një shef i lartë i sigurisë tha se forcat ukrainase nuk do të sulmojnë kamionët, por i ka lejuar ato edhe pa u siguruar mjaftueshëm për to, në mënyrë që të shmangen “provokimet”.

Kievi bëri thirrje ndaj aleatëve ndëkombëtarë të bashkohen “në dënimin e vendosur ndaj veprimeve të paligjshme dhe agresive” të Rusisë. Poroshenko tha se mbi 100 kamionë kanë kaluar kufirin, prej të cilave vetëm disa ishin kontrolluar nga zyrtarët ukrainas brenda territorit rus. Bëhet fjalë për rreth 34-35 të tilla.

Duke përsëritu dyshimet e mëhershme të Kievit se ndihmat mund të përdoren edhe për të mbështetur separatistët, Ministria e Jashtme tha: “As pala ukrainase dhe as Komiteti ndërkombëtar i Kryqit të Kuq nuk e dinë përmbajtjen e kamionëve. Kjo gjë është tepër shqetësuese”.

Ndërkohë, Komiteti ndërkombëtar i Kryqit të Kuq, që duhej të mbikqyrte autokolonën sipas akordit të arritur nga Moska dhe Kievi, tha se nuk ka shoqëruar asnjë prej tyre, për shkak të “shkeljes së situatës së sigurisë”.

BE: Rusia të tërhiqet nga invazioni

Vendimi i Rusisë për të dërguar autokolonën e kamionëve përtej kufirit lindor të Ukrainës pa lejen e Kievit apo shoqërimin e vëzhguesve ndërkombëtarë është një shkelje e pastër e kufirit të Ukrainës, ka bërë të ditur shefja e BE për Politikën e Jashtme, gjatë së premtes.

“Kjo është një shkelje e pastër e kufirit ukrainas. Ky veprim shkon gjithashtu kundër marrëveshjeve të mëparshme mes Ukrainës, Rusisë dhe ICRC”, tha Sebastien Brabant, zëdhënës i Catherine Ashton. “Nxisim Rusinë të tërhiqet nga ky vendim i saj”.

BE tha se dënon përmbajtjen e gatishmërinë e Kievit për bisedime, për të shmangur përshkallëzimin e krizës, duke shtuar se ndihma humanitare e Rusisë duhej të kanalizohej përmes respektimit të plotë të ligjeve ndërkombëtare dhe marrëveshjeve me Ukrainës.

SHBA: Kthim mbrapsht i mjeteve dhe personelit

Edhe Shtetet e Bashkuara i janë bashkuar zërave kundër lëvizjes së fundit të autokolonës ruse në Ukrainë, në shkelje të integritetit të saj territorial, duke i bërë thirrje Moskës të tërheqë mbrapsht të gjithë pajisjet dhe personelin e saj, njoftoi Pentagoni të premten.

“Kjo është një shkelje e sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës nga Rusia”, tha nënAdmiral John Kirby, sekretari për shtyp i Pentagonit, gjatë një deklarate të shkurtër. “Rusia duhet të lëvizë menjëherë mbrapsht të gjitha mjetet dhe personelin. Dështimi i këtij veprimi do të rezultojë në kosto të tjera shtesë dhe izolim të mëtejshëm të Moskës”.

Top Channel