Kemi humbur betejën në luftën për jetën

22/08/2014 00:00

Nga Ndue Dedaj – Të përfshirë nga skandalet e drogës, vjedhjes së thesarit, diplomave false, favoreve seksuale të zyrtarëve, aferave të njerëzve të pushtetit, të Drejtësisë e të tjerë kemi humbur shqisën e ndjeshmërisë ndaj jetës. Është folur aq shumë kundër krimit të vrasjes këto vite, është shkruar në gazeta, në raportet për qeverinë, Parlamentin, ndërkombëtarët. Janë mbajtur tubime të ashtuquajtura pajtimi. Kanë dalë njerëz të shoqërisë civile dhe të mediave në terren duke kumtuar kundër vrasjes së grave e vajzave.

Ka pasur manifestime në mbrojtje të të drejtave dhe lirive të njeriut, ku e drejta themelore, ajo e jetës nuk është vetëm juridike po hyjnore. Çfarë nuk është bërë në rrafshin e përgjithshëm, por jo dhe në atë të drejtpërdrejtë. Me të gjitha këto dhe kuadrin ligjor të përmirësuar ndjeshëm nuk është arritur te shpëtimi i njeriut të kërcënuar nga krimi. Nuk e shpëtuam nga vdekja një djalosh dibran vrarë para pak kohësh në Tiranë për gjakmarrje.

Sikur e kishim harruar tragjedinë (sh)njerëzore që kishte ndodhur në vitin 2007 nga vëllai i tij, me gjasë i sëmurë mendor, i cili kishte masakruar një fëmijë, por këtu asgjë nuk harrohet nga pala e dëmtuar, as kur shteti jep dënimet e duhura, përkundrazi riciklohet i njëjti krim, vetëm se kësaj here vrasja dhe viktima ndërrojnë vendet. Nuk jemi çliruar nga psikologjia e hasmit mes nesh dhe kësisoj kronika e vdekjeve të paralajmëruara është përditshmëria jonë.

Problemi është se kjo shoqëri nuk është e aftë të veprojë, edhe pse e kërkon përditë hyrjen në Europë, nuk mbron më e pakta, po dhe më e shumta, jetën e njeriut, kur në BE shkohet me njeriun dhe pastaj me muret e vilave, grataçielat dhe asfaltin. I përditshëm është krimi në familje, për ngatërresa të çastit, vrasjet e një natyre tjetër, të personave të veshur me petk shtetëror, si ajo e gjykatësit Konomi, e deputetit Xhindi, e disa policëve të lartë, e ndonjë kryekomunari, e bankierit Santo, e jo pak biznesmenëve etj., pa harruar vetëvrasjet e shumta, ku viktimat shumë herë janë fëmijë.

Kjo është njëra luftë e këtij tranzicioni ku pati aq shumë viktima dhe asnjë hero. Nuk është justifikim se vrasje ndodhin dhe në vendet e zhvilluara. E keqja nuk është asnjëherë “argument” kudo që të ndodhë. Të rrisësh sigurinë në shkolla, spitale, aeroporte, mjedise publike e kudo tjetër, nisur dhe nga aktet e paprecedenta me armë që kanë ndodhur në Amerikë apo Europë, kjo po.

Por nëse jetët njerëzore na shuhen kaq shpesh nga krimi, janë ndërkohë dhe aksidentet që e kanë përgjakur tokën dhe nëntokën apo detin. Kjo është lufta tjetër po aq absurde sa e para. Askund nuk ndodh ta humbasësh jetën kaq lehtë sa në Shqipëri. Tre minatorë i zë shembja e një tuneli në hidrocentralin e Qafë-Mollës në Mirditë, mes të cilëve dhe një qytetar turk dhe pa u bërë muaj nga kjo tragjedi e rëndë, dy minatorë matjanë humbasin jetën në një galeri të Martaneshit, kur kronika e vdekjeve të minierës së Bulqizës nuk ka numër e as të ndalur prej vitesh.

Ne vetëm sa i ngushëllojmë familjarët e tyre, duke nisur nga Presidenti i Republikës, shkruajmë artikuj të dhimbshëm, bëjmë ndonjë protestë të thatë, më shumë për t’u parë sindikalistët në ballë të punëtorëve. Si mund të pranohet që të mbyten në Durrës në det 6 veta për një verë? Po që të humbasin jetën dy pasagjerë në kanalin buzë rrugës në Fier vetëm se mungon mbrojtësja metalike anash saj?

A ka një inspektorat shtetëror kombëtar për rrugët, pasi janë dhënë plot fonde për to, por diku janë ngrënë ato “centimetrat” e famshëm në të dy anët, diku nuk janë vënë mbrojtëset anësore dhe pastaj ne rrimë e ngremë lapidarë për viktimat, thurim elegji për të humburit dhe peizazhi shqiptar mbushet me të vdekur dhe të lënduar të njëpasnjëshëm nga aksidentet, duke rritur aftësinë e kufizuar në shkallë vendi.

Ne nuk kemi të sigurta jo vetëm rrugët, detet, kanalet, ujëmbledhësit, por as Liqenin Artificial të Tiranës, ku për të shpëtuar një fëmijë që po mbytej, humb jetën një njeri. A nuk mund ta rrethojmë me rrjetë teli Liqenin “bukuri që vret?” Pamë të bëhet protestë për mosndërtimin buzë tij të disa kullave 17 – 20-katëshe, por asnjë grup qytetar nuk trokiti në Bashki apo në Ministrinë e Mjedisit për ta bërë të mbrojtur Liqenin. Prandaj themi se shoqëria civile nuk është një institucion i shëndetshëm në këtë vend.

Mbytet një fëmijë kosovar në Shëngjin dhe kreu i Autoritetit Shtetëror të Bregdetit kujtohet të thotë se nuk ka bashkëpunuar bashkia e atjeshme, e cila është e një subjekti tjetër politik. Ku tjetër ndodh të bëhet politikë e “hollë” mbi një fatkeqësi njerëzore? Vërtet një bashki apo organ tjetër vendor, qendror mund të mos bashkëpunojë sipas ligjit, por këto gjëra zgjidhen përpara.

Sapo ndodh tragjedia e radhës në minierë, thuhet se për atje u nis grupi avarishpëtues, por nuk është ky funksioni i parë i Repartit të Inspektim-Shpëtimit të Minierave, por kontrolli periodik i tyre për kushtet teknike dhe sigurinë në punë. E dëgjuat një minator si deklaroi në televizion: “Nuk është hedhur asnjë qindarkë investim në minierën e aksidentit dhe nuk ka kurrfarë sigurie në frontet e punës, drejtuesit teknikë na thonë vini kapat e shollit mbi kokë, kur nuk kanë vënë asnjë armaturë në galeritë e kromit!?”

Kjo është ironia e fatit në një vend ku shteti nuk është dalzotës i njeriut mbi tokë jo më në thellësitë e pabesa të nëntokës. “Do të monitorohen me rreptësi minierat”, u tha nga Ministria e Energjetikës para dy ditësh, kur ka pasur më shumë se treqind ditë për ta bërë këtë gjë. Vdesin njerëz në skelat e ndërtimit, galeri, rrugë, gurore dhe askush nuk mban përgjegjësi. Përvoja e vendeve europiane për kushtet dhe sigurinë në punë është mjaft larg nesh.

Ka inspektorat të punës, por qytetarët nuk dinë se si punojnë inspektorët e tij, a vënë apo jo gjoba sipas ligjit, a monitorohen dhe ata se si i përmbushin detyrat etj. Përpos se e padrejtë është dhe e pamoralshme që në raportet teknike të vdekjes fajin t’ua hedhësh gjithnjë viktimave, se “nuk kanë qenë të kujdesshëm në punë”, në zgafelle tunelesh të pambrojtura ku nuk mund të mbijetojë askush, vetëm nëse shembja “fal”.

Aksidentet në nëntokë në këta njëzet vite ua kanë kaluar dhe atyre të periudhës pesëdhjetëvjeçare të regjimit monist. Dy minatorët e Martaneshit (Fushë-Lopës) janë lajmi i fundit tragjik nga kjo minierë, por dy vjet më parë, më 2012-n, aty kanë humbur jetën dhe tre minatorë të tjerë, një në gusht e dy në tetor. Siç ka pasur aksidente dhe në minierat e Kalimashit, Librazhdit etj. Nuk është puna për të bërë krahasime, por me këto ritme aksidentesh në punë ku vemi? Të themi një ditë se “lufta” e tranzicionit na mori qindra e mijëra njerëz?

E kemi humbur betejën në luftën për jetën. Përkundër gjithë demagogjisë politike për kinse kujdesin ndaj njeriut. Na duhet doemos ta fitojmë këtë betejë sa më parë, por janë të gjithë që duhet të ngrihen për këtë, në radhë të parë shteti për t’i detyruar ndërmarrjet të punojnë me rregulla. Por dhe vetë individi. Sipërmarrësit shpesh të “padukshëm”. Shoqëria në tërësi.

Jemi kaq të dhënë pas skandaleve të njëpasnjëshme që ndodhin, si ai i Sarandës, që mbush çdo ditë nga katër-pesë faqe të gazetave kryesore (me një zhargon të protagonistëve që tregon dhe se ç’nivel të ulët ligjërimor kemi në popull), teksa që në media nuk i kushtojmë asnjë reklamë falas mbrojtjes së jetës së njeriut.

Kujtohemi vetëm pasi të këtë ndodhur gjëma, vrasja e bujshme në mes të Tiranës a Shkodrës, aksidenti i radhës etj. Aty e kemi Facebook-un, të shpejtpërdorur nga Kryeministri, kryetari i opozitës, deputetët, që postojnë nja dy-tri fjalë ngushëlluese. Ndoshta nuk është pa domethënie fakti që vajet shqiptare i kemi aq të thekura në raport me këngët e dashurisë dhe të jetës që ngjajnë më të brishta.

Na duhet të ikim prej skandalozes, skup-eve dhe t’i kthehemi realitetit të ashpër, duke e parë atë në sy, jo si soditës indiferentë, por duke u përballur fort me të keqen. Vërtet do të lutemi për ata që na ikin, ne të thjeshtit dhe drejtuesit e shtetit, por këta të fundit kanë përgjegjësinë e madhe të sigurisë së jetës së njerëzve. Qeveria nuk e ka më të lutur, ajo vepron energjikisht, parandalon rreziqet, i kyç minierat vdekjeprurëse derisa të vijnë në parametrat e kërkuar.

Është Papa Françesku që lutet për ne e gjithë botën, aq më tepër që pritet të vijë në Shqipëri. (Mjerisht fatkeqësia ka ndjekur dhe familjen e tij, ku në një aksident në Argjentinë humbën jetën dy stërnipërit e tij të mitur dhe e ëma e tyre në moshë të re.) Kurse krerët e vendit nuk mund të shkojnë nga njëra fushatë elektorale në tjetrën me premtime që nuk mbahen për disa sektorë kritikë, siç janë minierat, siguria e plazheve, ajo rrugore etj.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA