Japoni, shirat pengojnë kërkimet nën dhe

22/08/2014 00:00

Shirat e dendura kanë penguar operacionet e shpëtimit në prefekturën e Hiroshimës në Japoni, ku pak ditë më parë një rrëshqitje masive toke u mori jetën 39 personave.

Numri i personave të humbur është rritur ndërkohë në 51, deklarojnë autoritetet lokale, pas bilancit të fundit të bërë nga policia dhe skuadrat e shpëtimit.

Sipas agjencisë së lajmeve “Kyodo”, rreth 3 mijë anëtarë të ekipeve të emergjencave po punojnë në zonë, por shiu i së enjtes bëri që të pezulloheshin kërkimet.

Shirat e rrëmbyeshme kanë sjellë gjithashtu evakuimin e rreth 100 mijë banorëve, ndërkohë që autoritetet druhen se rrëshqitje të tjera mund të ndodhin në orët e ardhshme.

Rrëshqitjet erdhën pasi mesatarja mujore e shiut ra në 24 orë të vetme mëngjesin e së mërkurës, deklaroi agjencia meteorologjike japoneze.

Shumë shtëpi në zona të banuara pranë një mali në rrethinat e Hiroshimës u mbuluan nga dheu. Korrespondenti i BBC në Japoni raporton se duke parë numrin në rritje të viktimave, druhet që bilanci real i tragjedisë të jetë rreth 100 të vdekur.

Mes personave të vdekur është edhe anëtari i një skuadre shpëtimi, që vdiq kur një rrëshqitje e dytë toke u verifikua pasi ai u kishte ardhur në ndihmë disa banorëve.

Ngjarja ndodhi teksa ai po përpiqej të shpëtonte një fëmijë të vogël dhe babain e tij, të cilët u përfshinë gjithashtu nga rrëshqitja e dytë e baltës.

Sipas korrespondentëve të mediave të huaja, dyshohet se numri i fëmijëve të përfshirë në këtë ngjarje të jetë i madh. Shumica e zonave qendrore dhe jugore të Japonisë janë malore dhe shumë shtëpi ndodhen në terrene të pjerrëta.

Top Channel