Gaza, vriten 3 liderë ushtarakë të Hamasit

21/08/2014 00:00

Sulmi nga ajri ndaj një shtëpie në Gaza përgjatë natës ka lënë të vdekur 3 anëtarë të lartë të krahut të armatosur të Hamasit, “Qassam Brigades”, një lajm i konfirmuar nga vet grupi militant gjatë së enjtes.

Tre anëtarët e këshillit ushtarak 15-anëtarësh të QB u vranë pas bombardimit në Rafah, në Jug të Gazës, sipas Hamasit. Njoftimi i vdekjes së tyre erdhi një ditë pasi Hamasi tha se një tjetër sulm i Izraelit shkaktoi vdekjen e gruas dhe djalit 7-vjeçar të Mohammed Deif, kreut të krahut të armatosur. Nga ky sulm nuk u arrit vrasja e Deif, deklaron Hamas.

Grupi militant, i cili kontrollon Rripin e Gazës, dha emrat e liderëve të vdekur: Mohammed Abu Shamala, Raed al-Attar dhe Mohammed Barhoum. Al-Attar, komandant i QB në Rafah, besohet të ketë qenë më i larti në detyrë mes tyre.

Ushtria izraelite konfirmon vrasjen e al-Attar dhe Abu Shamala, duke i përshkruar ata si “komandantë të lartë të Hamasit, përgjegjës për sulmet masive terroriste kundër izraelitëve”. Al-Attar luajti një “rol kyç” në kapjen e ushtarit izraelit Gilad Shalit në vitin 2006, njoftuan Forcat izraelite të Mbrojtjes (IDF) përmes rrjetit social Twitter.

Shalit u mbajt peng deri sa u arrit një marrëveshje për lirimin e tij në vitin 2011, në këmbim të më shumë se 1000 të burgosurve palestinezë.

Rikthimi i dhunës mes Izraelit dhe Hamasit nisi të martën, pasi skadoi një armëpushim i vendosur mes tyre dhe pasi bisedimet për paqe në Kajro ngecën, teksa secila palë fajëson tjetrën për mospërmbushje të angazhimeve për armëpushim.

Top Channel