Davutoglu, kryeministri i ri i Turqisë?

21/08/2014 00:00

Ahmet Davutoglu do të jetë me shumë gjasa pasuesi i Recep Taip Erdogan në krye të kabinetit qeverisës në Turqi.

Me zgjedhjen si President i Republikës në zgjedhjet e para popullore të këtij lloji në Turqi, Kryeministri në detyrë, Recep Taip Erdogan dorëzoi të gjitha funksionet e tij në partinë AK ku propozoi si kandidat për kryetar partie Ministrin e Jashtëm, Ahmet Davutoglu.

Davutoglu pritet të votohet në kongresin e ardhshëm të partisë dhe duke njohur pushtetin dhe kontrollin e Erdogan mbi AK, vështirë që kongresi të refuzoi kandidatin e propozuar prej tij.

Me marrjen e detyrës së re si kryetar partie, Davutoglu do të marrë edhe atë të Kryeministrit të ri.

Ambicia e Erdogan për postin e Presidentit të Republikës nisi të shfaqej pas miratimit me referendum të Kushtetutës së re që zgjeron pushtetin e Presidentit.

Fillimisht u përfol për një rrokadë me Presidentit Abdullah Gyl, por vetë ky i fundit hodhi poshtë këto zëra duke refuzuar rrokadën alla Putin-Medvedev.

Top Channel