Parcela me kanabis në Jug të Italisë

20/08/2014 00:00

Nga njëra anë pemë ulliri, nga ana tjetër plantacione misri, e në fund një mur barishtesh gati tri metra i lartë.

E mbrojtur nga sytë e kureshtarëve, kjo parcelë e mbjellë me kanabis e Salvatore Li Bassit, kishte qëndruar e fshehur për shumë kohë. Një hektar e gjysmë tokë e kultivuar me kujdes dhe 15.000 bimë kanabisi, që në treg mbërrijnë vlerën e 35 milionë eurove.

Kur karabinierët e Alcamos në Itali trokitën në portën e tij, 56-vjeçari nuk gjeti justifikim tjetër, përveç këtij: mendova se ishin bimë aromatike.

“La Stampa” shkruan se ai i Li Bassit është i fundit i plantacioneve të marijuanës të zbuluara në Jug të Italisë, ku ndodh edhe 71% e sekuestrimeve të bimës narkotike. Më 14 Gusht, në Tor De’ Cenci pranë Romës, një helikopter i policisë diktoi një tjetër kamp abuziv: gjysmë hektari tokë e mbjellë me kanabis.

28-vjeçari nga kryeqyteti, që e kultivonte, përdorte për ujitje një çisternë uji të fshehur mes bimësisë në zonë. Një vit më parë, në fushat e Ogliastras në Sardenjë, forcat e rendit ishin gjendur përballë një skenari kolumbian, thotë “La Stampa”: një plantacion me 1.100 rrënjë, ku kishte edhe tre vendqendrime të pajisura me energji elektrike e dyshekë për të fjetur.

Kultivimi i kanabisit është një fenomen i hershëm në këtë vend, por asnjëherë më parë nuk janë gjetur plantacione të përmasave të tilla. Agjencia e OKB-së për lëndët narkotike dhe krimin e organizuar, UNODC, e rendiste në 2012-n Italinë si vendin e parë në botë për nga niveli i sekuestrimeve, duke shënuar më shumë se 4 milionë rrënjë të bimës narkotike, ndërsa Shtetet e Bashkuara vinin pas saj në vend të dytë.

Ekspertët thonë se plantacionet e mëdha në Europën Lindore, Ukrainë, Afganistan e Pakistan, po përdoren më shumë për opium, çka ka bërë që çmimi i marijuanës të rritet, në një kohë kur kërkesa vazhdon të mbetet e lartë, e kjo ka stimuluar më shumë prodhimin brenda kufijve.

Top Channel