Obama: Bota e tronditur nga ekzekutimi

20/08/2014 00:00

Presidenti amerikan Barack Obama reagoi ndaj vrasjes së reporterit amerikan, James Foley, në Irak, i ekzekutuar me prerje koke prej militantëve të IS-it si shpagim ndaj sulmeve ajrore të Amerikës kundër grupit islamik.

“IS-it – tha shefi i Shtëpisë së Bardhë, – nuk i intereson besimi, por kërkon genocidin. Shumica e viktimave të tij janë muslimanë e asnjë fe në botë nuk i mëson njerëzit të masakrojnë të pafajshmit”.

“Ideologjia e Shtetit Islamik është e kalbur dhe e destinuar të dështojë. Vrasja e James Foleyt ishte një akt dhune, që trondit ndërgjegjen e mbarë botës. Jeta e tij është në kontrast të thellë me atë të ekzekutorëve të vet”, u shpreh Presidenti Obama.

Në videon tronditëse, vrasësi paralajmëron se të njëjtin fund me reporterin mund të ketë dhe një amerikan tjetër i ndodhur në duart e militantëve, nëse Obama nuk i ndalon operacionet ushtarake në Irak.

Pamjet filmike e tregojnë Foleyn të gjunjëzuar pranë një burri veshur me të zeza e me fytyrë të mbuluar, i cili flet një anglishte të qartë me theks britanik, e thotë se vdekja e gazetarit është pasojë e drejtpërdrejt e bombardimeve amerikane.

Vet gazetari lexon një mesazh të shkruar, sipas gjasave prej rrëmbyesve, ku shprehet se vrasësi i tij i vërtetë është Amerika. Më tej dëgjohet të thotë se “do të doja të kisha më shumë kohë. Do të doja të kisha shpresë për liri, që ta shihja edhe një herë familjen time”.

Reporteri “freelance” u zhduk Nëntorin e vitit 2012 në Veriperëndim të Sirisë, pranë kufirit me Turqinë.

E ëma Diane Foley shkroi në Facebook se ishte krenare për të birin, që dha jetën duke u përpjekur t’i tregonte botës vuajtjen e popullit sirian, ndërsa i lutet militantëve të lirojnë çdo peng tjetër. Ashtu si Jimi, edhe ata janë të pafajshëm, – thotë ajo, – dhe nuk kanë asnjë kontroll mbi politikat qeveritare të Amerikës në Irak, Siri apo çdo vend tjetër të botës.

Top Channel