Bombardimet izraelite në Gaza

20/08/2014 00:00

Gruaja dhe vajza 2 vjeç e kreut të “Brigadave Al Qasam”, krahu i armatosur i Hamasit, mbetën të vrarë nga bombardimet izraelit të martën në Gaza që shkaktuan në total 11 palestinezë të vdekur.

Një zyrtar i Hamasit nga Kajro tha se Izraeli kishte vënë në shënjestër banesën e Mohamed Deif, komandanti i militantëve të Al Qasam. Nuk dihet nëse Deif ka qenë në banesë në momentin e sulmit, por Musa Abu Marzuk, numri dy i Hamasit tha se gruaja dhe vajza 2-vjeçare e Deif kishin humbur jetën gjatë sulmit.

Deif akuzohet si përgjegjës për shumë prej sulmeve vetvrasëse në Izrael vitet e shkuara. Ai ka mundur t’i mbijetojë dhjetra atentateve për ta vrarë dhe besohet se këto atenate e kanë lënë me pasoja fizike.

Izraeli njoftoi se 50 raketa janë lëshuar gjatë së martës dhe 20 të tjera në orët e para të së mërkurës nga Gaza në drejtim të territoreve izraelite, pjesa më e madhe e të cilave janë kapur nga sistemi i mbrojtjes ose kanë rënë në zona të pabanuara kryesisht në rajonin e Bershebas.

Krahu i armatosur i Hamasit tha se Izraeli ka hapur dyert e Ferrit dhe do ta paguajë shtrenjtë për këtë.

Gjatë së mërkurës pritet një mbledhje e këshillit të sigurisë në Tel Aviv për të diskutuar mbi përshkallëzimin e fundit të dhunës dhe daljen e një vendimi për të respektuar marrëveshjen për armëpushim apo vazhdimin e bombardimeve.

Top Channel