Përleshje në Saint Louis

19/08/2014 00:00

Qetësia nuk është ende fjala e ditës në Ferguson. Përleshje të reja shpërthyen në lagjen e trazuar të Seint Luisit, ku prej mëse një jave protestohet dhunshëm ndaj vrasjes së adoleshentit me ngjyrë nga një efektiv i policisë.

Përplasjet erdhën vetëm pak orë pas apelit të presidentit Barack Obama për frenim të akteve të dhunshme. Gjithashtu, turmat refuzuan t’u bindeshin thirrjeve të policisë për t’u shpërndarë, çka detyroi forcat e rendit të perdornin gazin lotësjellës.

Shumica e efektivëve ishin pajisur me kundragaz, armë, shkopinj gome dhe mburoja. Autoritetet thonë se gjatë asaj që u cilësua një tjetër “natë zemërimi” në Ferguson, 31 persona perfunduan në pranga.

Nga sa pohoi vetë Obama, të mërkurën drejt Fergusonit do të udhëtojë edhe prokurori i përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara, Eric Holder. Qëllimi i këtij rrugëtimi është mbledhja e informacioneve mbi hetimin federal të vrasjes së të riut të çarmatosur nga një polic i bardhë.

Holder planifikon të takohet me zyrtarë të Departamentit të Drejtësisë dhe FBI-së, që janë të angazhuar në hetimin e pavarur federal të vrasjes së Michael Brown më 9 gusht. Kryeprokurori Holder do të bisedojë edhe me krerët e komunitetit në përpjekje për rikthimin e paqes dhe qetësisë në zonë.

Të hënën, në Ferguson u hoq masa e ndalim-qarkullimit pas ardhjes së trupave të Gardës Kombëtare në mbështetje të forcave policore, përballë përleshjeve të vazhdueshme me protestuesit.

Po një ditë më parë, edhe sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-moon u bëri thirrje autoriteteve në Ferguson të tregojnë vetepërmbajtje dhe të zbatojnë të drejtën për të protestuar dhe lirinë e shprehjes paqësore.

Top Channel