Ofensiva e ushtrisë irakiane kundër ISIS

19/08/2014 00:00

Ushtria irakiane ka nisur ofensivën për marrjen e  Tikritit, e konsideruar njëra prej kështjellave të militantëve ekstremistë të ISIS.

Operacioni ushtarak në terren i ndihmuar edhe nga bombardime nga ajri me avionë dhe helikopterë nisi pak orë pas marrjes së Digës së Mosulit, e konsideruar pikë strategjike në Veriun e Irakut për faktin se furnizon me energji dhe ujë pjesën më të madhe të rajonit.

Ushtrisë së rregullt qeveritare u janë bashkuar milicitë shiite dhe ushtarët kurdë Peshmerga.

Tikrit, vendlindja e Sadam Husein ndodhet 130 kilometra në veri të Bagdadit dhe një nyje lidhëse mes kryeqytetit dhe Mosulit, qytetit të dytë më të madh të vendit që ndodhet ende nën terorin e ISIS.

Televizionet arabe raportojnë se forcat qeveritare kanë hyrë në qendrën e qytetit, por lajmi nuk mund të konfirmohet zyrtarisht.

Sipas Reuters ofensiva e ushtrisë e nisur në dy fronte, jug dhe lindje po has në rezistencën e militantëve të ISIS.

Ndërkohë situata humanitare mbetet e nderë. OKB njoftoi nisjen e një operacioni madhor humanitar në zonat veriore të Irakut në mbështetje të gjysmë milioni personave të zhvendosur nga avancimi i ISIS. Ndihmat në barna mjekësore, ushqime dhe veshmbathje do të dërgohen nëpërmjet rrugëve ajrore dhe atyre tokësore duke përdorur Turqinë, Iranin, Jordaninë dhe Emiratet Arabe.

Top Channel