Obama: U rimor diga e Mosulit

19/08/2014 00:00

Presidenti amerikan Barack Obama konfirmoi rimarrjen e digës së Mosulit nga luftëtarët kurdë Peshmerga dhe trupat irakene, një fitore e rëndësishme në betejën kundër militantëve të rrezikshëm të Shtetit Islamik në Irak e Levant.

Sipas shefit të Shtëpisë së Bardhë, operacioni i mbeëhtetur edhe nga avionët luftarakë amerikanë shmangu një katastrofë humanitare.

“Shkatërrimi i kësaj dige mund të kishte pasojë katastrofike, do të kërcënonte jetët e mijëra civilëve dhe do të rrezikonte kompleksin e ambasadës sonë në Bagdad. Por ky mision tregoi gjithashtu se forcat irakene e ato kurde ishin në gjendje të punonin së bashku, duke e përmbushur detyrën e tyre me guxim dhe vendosmëri”, deklaroi Obama.

Nga sa sqaroi më pas presidenti, Shtetet e Bashkuara po armatosin luftëtarët irakenë dhe ata kurdë të cilët janë duke shënuar një përparim të rëndësishëm në zmbrapsjen e terroristëve. Amerika nga ana tjetër po krijon edhe një koalicion ndërkombëtar për dërgimin e ndihmave humanitare për irakenët e zhvendosur.

“Shtetet e Bashkuara do të punojnë me qeverinë e Irakut, si dhe me partnerë si Britania e Madhe, Kanadaja, Franca, Italia dhe Australia në dërgimin e ushqimeve dhe ujit për njerëzit në nevojë dhe dërgimin e  ndihmave afatgjata për personat që janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre”, theksoi Obama.

Avionët luftarakë amerikanë dhe ata të telekomanduar ndërmorën të hënën rreth 15 sulme ajrore përreth digës së Mosulit, gjatë të cilave u goditën nëntë pozicione luftarake të ISIS-it, artileria e tyre anti-ajrore, automjetet dhe objektiva të tjera.

Top Channel