Minsk, takim Poroshenko-Putin, edhe Ashton

19/08/2014 00:00

Presidenti i Ukrainës, Petro Poroshenko, do të marrë pjesë në bisedimet me homologun e tij rus, Vladimir Putin, si dhe zyrtarët më të lartë të Bashkimit Europian, përfshi shefen për Politikën e Jashtme, Catherine Ashton, që do të zhvillohen më 26 Gusht në Minsk, ka bërë të ditur një zëdhënës i Presidencës gjatë së martës.

Ndërkohë që konfirmimi erdhi nga një tjetër ndihmës i lartë i Presidentit, Valery Chaly, i cili në një zhvillim tjetër bëri të ditur për gazetarët se “po organizohet një delegacion ukrainas, i cili me shumë mundësi do të kryesohet nga Presidenti”.

“Sot po merr formë një rrugëzgjidhje e qartë diplomatike. Do të përpiqemi me sjellje të reja të krijojmë mundësi mes nesh për të biseduar në lidhje me kalimin nga një situatë lufte, në një situatë paqeje”, tha Chaly.

Poroshenko në Bruksel, 4 ditë më vonë

Ndërsa më 30 Gusht, Presidenti ukrainas Poroshenko do të udhëtojë drejt Brukselit, me ftesë të krerëve më të lartë të BE-së.

Gara mes BE-së dhe Rusisë, për të përcaktuar të ardhmen e Ukrainës, ka bërë që dy ish-republikat sovjetike të përfshihen në një krizë, e cila është përkeqësuar vazhdimisht që prej aneksimit të Krimesë nga Moska, në muajin Mars.

Poroshenko konfirmoi se pranonte ftesën, gjatë një bisede telefonike me Presidentin e Komisionit Europian, Jose Manuel Barroso, thuhet në faqen presidenciale.

Një zyrtar i lartë i BE, i cili nuk donte të identifikohej, konfirmoi se Poroshenko është ftuar në Bruksel, por pa konfirmuar datën e udhëtimit. Ai tha se lideri i Ukrainës nuk ishte ftuar për në samitin e liderëve të BE, që do të zhvillohet më 30 Gusht, por do të zhvillojë bisedime bilaterale me Barroson dhe Herman van Rompuyn, President të Këshillit Europian.

Në Minsk, nga sa konfirmohet nga BE, do të jenë edhe komisionerët e tregtisë dhe energjisë.

Top Channel