Liberi, zhduken 17 pacientë me Ebola

19/08/2014 00:00

Të paktën 17 pacientë të dyshuar si të prekur nga virusi Ebola janë zhdukur në Liberi, pasi qendra mjekësore ku ndodheshin në kryeqytet u sulmua.

Lajmin e bëjnë të ditur autoritetet lokale. Më herët qeveria kishte mohuar zërat për zhdukjen e tyre, duke thënë se të gjithë pacientët ishin transferuar në një kompleks mjekësor tjetër.

Përhapja e virusit Ebola, që është zgjeruar nga Guinea në Liberi, Sierra Leone dhe Nigeri, ka shkaktuar vdekjen e të paktën 1.145 personave.

Organizata Botërore e Shëndetësisë u ka bërë thirrje autoriteteve që të skanojnë të gjithë udhëtarët që vijnë nga vendet e prekura, si në aeroporte, ashtu edhe në porte detare apo pika kufitare tokësore.

Linja të ndryshme ajrore kanë ndërprerë fluturimet nga Guinea, Liberia dhe Sierra Leone, ndërsa Kameruni ka mbyllur kufijtë detarë dhe tokësorë me Nigerinë.

Përhapja e virusit Ebola në Afrikën Perëndimore konsiderohet si më e rrezikshmja, pasi për sëmundjen në fjalë nuk ka mjekime.

Ndërkohë, koordinatori i OKB-së në Sierra Leone, David McLachan Karr tha për BBC se Ebola ishte përhapur në 12 nga 13 rajonet e vendit.

“Ndërsa Sierra Leone ishte e fundit nga tre vendet e lumit Mano që konfirmoi përhapjen e Ebolës, tani është vendi me numrin më të lartë të njerëzve të prekur”, deklaroi zyrtari i Kombeve të Bashkaura.

Top Channel