Gaza, armëpushimi shtyhet edhe 24 orë

19/08/2014 00:00

Zyrtarët palestinezë dhe ata izraelite duket se e kanë gjetur gjuhën e përbashkët për të shtyrë edhe për 24 orë armëpushimin në Rripin e Gazës pas bisedimeve që po zhvillohen në Kajro.

Armëpushimi i fundit hyri në fuqi të mërkurën dhe përfundonte mbrëmjen e së hënës.

Autoritetet palestineze kanë bërë të ditur se të paktën 2016 persona kanë mbetur të vrarë në radhët e tyre që prej fillimit të ofensivës izraelite në Gaza. Si pasojë e luftimeve të ashpra mes palëve janë vrarë edhe 66 izraelitë.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu kërcënoi Hamasin, duke thënë se militantët do ta pësonin keq nëse do të rifillonin sulmin me raketa. Ai shtoi se ushtria izraelite ishte e gatshme për të gjitha skenaret e mundshme dhe ishte e përgatitur për të rinisur zjarrin nëse do të kishte sulme. Zgjatja e armëpushimit është konfirmuar nga qeveria egjiptiane, e cila tha se delegacioni palestinez dhe ai izraelit kishin rënë dakord për të vazhduar negociatat për të arritur një marrëveshje të përhershme. Pas konsultimeve ekipet negociuese u rikthyen gjatë ditës së diele në Egjipt për vazhdimin e bisedimeve.

Qais Abdul Karim, kryenegociatori palestinez u shpreh të dielën se Izraeli po kërkon garanci për çarmatosjen e Hamasit dhe fraksioneve të tjera në Gaza. Ndërsa palestinezët po bëjnë thirrje për t’i dhënë fund bllokadës izraelite pa kushte.

Militantët e Hamasit këmbëngulin se nuk do të heqin dorë nga armët e tyre, ndërsa Izraeli kërkon të kontrollojë lëvizjet në Gaza për të parandaluar kontrabandën e armëve. Izraeli është i shqetësuar edhe nga importi i materialeve të ndërtimit në Gaza, të cilat sipas tyre mund të ndihmojnë Hamasin në ndërtimin e rrjetit të tuneleve.

Gjatë ditës së hënë, i dërguari i Kombeve të Bashkuara në Lindjen e Mesme, Robert Serri tha se organizata ishte e gatshme për të mbikëqyrur importet e materialeve të ndërtimit të dërguara në Gaza. Ai shtoi se importi i këtyre materialeve ishte shumë i rëndësishëm për popullsinë në Gaza, duke parë shkatërrimet e mëdha të ndërtesave që prej fillimit të bombardimeve.

Top Channel