Ukrainë, sulmohet autokolona e refugjatëve

18/08/2014 00:00

Ukraina ka akuzuar rebelët pro-rusë gjatë së hënës se kanë goditur një autokolonë autobusësh me refugjatë me raketa, pranë qytetit lindor të Luhanskut, duke vrarë personat e mbetur brenda mjeteve që shkrumboheshin nga flakët, por separatistët refuzojnë përgjegjësinë.

Forcat qeveritare vazhduan të mësyjnë kundrejt duke bllokuar dhe rimarrë pozicionet e mbajtura nga rebelët, pasi bisedimet ndërkombëtare dështuan të arrijnë një dakordësim për marrëveshje armëpushimi.

Zëdhënësi i ushtrisë ukrainase tha se rebelët hapën zjarr me raketa ndaj autobusëve, duke shkaktuar një numër ende të pakonfirmuar vdekjesh.

“Një sulm me artileri të rëndë goditi një autokolonë refugjatësh pranë rajonit të Krhyashchuvatye dhe Novosvitlivka. Forca e shpërthimit në autokolonë ishte aq e madhe sa personat u dogjën për së gjalli brenda tyre. Askush nuk mundi të dilte prej tyre”, tha zëdhënësi Anatoly Proshin për mediat vendase.

9 ushtarë ukrainas raportohen të jenë vrarë gjatë luftimeve të mesnatës. Ndërsa një lider i rebelëve mohoi që forcat e tij të kishin aftësi ushtarake sa për të kryer një sulm të tillë, si dhe akuzoi qeverinë se po sulmon vazhdimisht zonën, përfshi edhe sulme me raketa të prodhimit rus “Grad”.

Top Channel