SHBA, adoleshenti u qëllua me 6 plumba

18/08/2014 00:00

Adoleshenti me ngjyrë, i vrarë nga një oficer policie në lokalitetin Ferguson teksa ishte i çarmatosur, është qëlluar me gjashtë plumba, dy prej të cilëve e kanë zënë në kokë.

Kështu sugjerojnë rezultatet e autopsisë së dytë, publikuar në orët e fundit. Doktori Michael Baden ishte punësuar për të kryer një autopësi të pavarur nga familja e 18-vjeçarit të ndjerë, Michael Brown.

Ditën e hënë, avokati Ben Crump deklaroi se familja e të ndjerit i kishte kërkuar mjekut një autopsi pasi nuk kishin besim në rezultatet e ekspertizës së parë të kryer nga agjencitë e zbatimit të ligjit në St Luis.

“Kjo, pasi janë të njëjtët individë që ata mendojnë se janë përgjegjës për ekzekutimin e djalit të tyre në mes të ditës”, deklaroi Crump.

Doktor Baden, një veteran i mjekësisë ligjore të qytetit të Nju Jorkut dhe një patolog i njohur, tha në një konferencë shtypi se zbulimet e tij paraprake i japin përgjigje pyetjeve të familijarëve të viktimës, përfshirë sesa herë i biri i tyre ishte qëlluar apo nëse kishte vuajtur.

Ndërsa eksperti Shawn Parcells, që asistoi doktor Baden gjatë autopsisë, tha se plaga që Brown kishte marrë në krahun e djathtë mund të kishte mjaftuar, pasi ai i kishte ngritur duart lartë, “por të tjerat nuk i dimë”, tha ai.

Vrasja e 18-vjeçarit Brown ka shkaktuar trazira dhe përplasje mes protestuesve dhe policisë, të cilat zgjasin prej shumë ditësh në periferitë e St Luis.

Oficeri që qëlloi të riun, i identifikuar si Darren Wilson, është pezulluar që nga momenti i ngjarjes dhe familja e të ndjerit ka kërkuar arrestimin dhe dënimin e tij.

Top Channel