Përmbytjet, Nepal-Indi mbi 160 viktima

18/08/2014 00:00

Të paktën 160 persona raportohen të vdekur nga rrëshqitjet e dheut dhe nga përmbytjet, pas ditëve të tëra me rrebeshe shiu në Nepal dhe Veri të Indisë.

Në Nepal, zyrtarët thonë se të paktën 101 vetë janë zyrtarizuar si të vdekur, pasi ekipet e kërkim-shpëtimit kanë gjetur edhe 4 trupa të tjerë të pajetë. Më shumë se 130 të tjerë rezultojnë të zhdukur.

Në shtetet e Indisë veriore, përmbytjet pas reshjeve të dendura kanë lënë të paktën 60 viktima, ndërsa fshatra të tërë janë izoluar. Megjithatë, besohet se më e keqja tashmë ka kaluar.

Rrëshqitjet e tokës dhe përmbytjet kanë shkatërruar komunitetet rurale dhe ka bllokuar disa rrugë në të gjithë rajonin. Në Nepal, zyrtarët kanë ngritur shqetësimin mbi një shpërthim të mundshëm të kolerës.

Ndërkohë, helikopterë janë dërguar në të gjithë rajonin për të ofruar ndihma emergjente ndaj të bllokuarve.

Top Channel