Papa bën thirrje për pajtim

18/08/2014 00:00

Ditën e fundit të vizitës së tij në Korenë e Jugut, Papa Françesku e shfrytëzoi për të përcjellë një mesazh të rëndësishëm: thirrjen për pajtim në gadishullin korean.

Njerëzit këtu, tha Ati i Shenjtë, duhet ta refuzojnë mendësinë e dyshimit dhe konfrontimit, e të gjejnë mënyra të reja për vendosjen e paqes.

“Mesha e sotme është, së pari e mbi të gjitha, një lutje për pajtim në familjen e madhe koreane. Në Ungjill, Jezusi na tregon sa e fuqishme bëhet lutja jonë, kur bashkohen më shumë njerëz me të. Sa e fuqishme mund të jetë ajo, kur një popull i tërë e dëshiron diçka me forcë”, u shpreh Papa Françesku.

Papa foli në shërbesën e mbajtur në Katedralen kryesore të Seulit, ku merrte pjesë edhe Presidentja Park Geun-hye, si dhe disa dezertorë nga Veriu komunist.

Mesha përkoi me fillimin e stërvitjes së përbashkët ushtarake mes Koresë së Jugut dhe Shteteve të Bashkuara. Manovrat e përvitshme, që zgjasin 12 ditë e përfshijnë rreth 80.000 trupa amerikanë e koreano-jugorë, e kanë egërsuar gjithmonë Penianin, që këto javët e fundit zhvilloi një seri testesh me raketa me rreze të shkurtër veprimi, një nga të cilët u krye pikërisht në momentin e mbërritjes së kreut të Kishës Katolike.

Edhe në meshën e tij në Seul ishin ftuar të merrnin pjesë përfaqësues të Koresë së Veriut, por ata e refuzuan ofertën. Në shërbesë ndodheshin edhe 7 gra të moshuara, të cilat gjatë Luftës së Dytë Botërore ishin detyruar të punonin si prostituta për ushtarët japonezë.

Top Channel