Irak, diga e Mosulit nën kontroll të plotë

18/08/2014 00:00

Raportimet nga Lindja e Mesme thonë se luftëtarë kurdë të Peshmergës dhe trupat irakene kanë rimarrë plotësisht digën Mosulit nga avancimi që ISIS kishte bërë ditët e fundit.

Një zëdhënës ushtarak iraken tha për televizionin shtetëror atje se: “Diga është pastruar plotësisht”. Ai shtoi se trupat e tyre ishin mbështetur dhe nga një patrullë tjetër ajrore, por pa specifikuar nëse ishte ndihmë nga ana e SHBA-ve ose jo.

Më herët presidenti amerikan Barack Obama deklaroi se misioni i Uashingtonit në mbështetje të Irakut do të jetë i kufizuar në kohë dhe në qëllim.

Por në një deklaratë të Shtetit Islamik hodhi poshtë pretendimin e ushtrisë irakene, duke thënë se ata i kishin zmbrapsur luftëtarët kurdë dhe u kishin shkaktuar atyre humbje të mëdha.

Diga e Mosulit ka një rol jetik për Irakun e veriut pasi e furnizon atë me ujë dhe energji elektrike. Shumë druheshin se ISIS mund ta përdorte digën për të përmbytur zonat rreth saj. Kjo ishte një nga sfidat më të mëdha që forcat kurde dhe irakene kishin ndaj grupit xhihadist.

Kryeministri i ri i irakut, Haider al-Abadi, edhe ai një shiit si parardhësi i tij, përballet me sfidën e madhe të bashkimit të vendit kundër militantëve të ISIS-it, ndërsa i duhet të fitojë sërish besimin e sunitëve që e shohin lidershipin e vendit me dyshim.

Top Channel