Berlin, Rusia njofton marrëveshje për ndihmat

18/08/2014 00:00

Rusia ka njoftuar të hënën se të gjitha kundërshtimet ndaj dërgesës ndihmave humanitare në Ukrainë janë zgjidhur, por ende nuk është bërë progres sa i përket bisedimeve në Berlin për një armëpushim mes qeverisë ukrainase dhe forcave rebele në Lindje të vendit.

Pas bisedimeve mes Rusisë, Gjermanisë, Francës dhe Ukrainës, të dielën, ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, tha se “më në fund, të gjitha dyshimet janë zgjidhur në lidhje me nismën ruse për të dërguar rreth 300 kamionë me ndihma humanitare”.

“Çdo gjë është dakordësuar me Ukrainën dhe Komitetin Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq”, tha ai në një konferencë për shtyp nga Berlini. Rusia dhe Ukraina kanë pasur mosmarrëveshje në lidhje me një autokolonë prej 280 kamionësh rusë, që mbajnë ujë, ushqime dhe barna mjekësorë.

Autokolona është parkuar prej ditësh në Rusi, pranë kufirit me Ukrainën, pas kundërshtimeve të Kievit, që beson se ky veprim mund të jetë një “Kalë Troje” i Rusisë për të furnizuar me armatime rebelët, një paragjykim që Moska e ka mohuar dhe cilësuar si absurd.

Lavrov e përshkroi situatën në Lindje të Ukrainës si “një katastrofë humanitare” dhe tha se një armëpushim është i nevojshëm, pasi civilët kanë qenë prè e bombardimeve nga ushtria ukrainase, që po avancon gjithnjë e më tepër në Lindje.

“Nuk jemi në gjendje të raportojmë rezultate pozitive, sa i përket një armëpushimi dhe nisjes së një procesi politik për të zgjidhur konfliktin”, tha ai përpara gazetarëve. Konflikti 4-mujor në Ukrainë, në rajonet rusishtfolëse të saj, ka arritu një fazë kritike.

Top Channel