Assange: Do të dal nga Ambasada e Ekuadorit

18/08/2014 00:00

Themeluesi i Wikileaks, Julian Assange, ka thënë gjatë një konference për shtyp se do të largohet “së shpejti” nga Ambasada e Ekuadorit në Britani, pas më shumë se 2 vjet i strehuar në ndërtesën ekuadoriane.

Australiani ka dhënë detajet e planit të tij për lëvizjet e ardhshme, së bashku me ministrin e Jashtëm ekuadorian, Ricardo Patino, në Ambasadën e gjendur në Knightsbridge, në qendër të Londrës.

Raportimet e para sugjerojnë se i kërkuari nga Suedia dhe SHBA-të ka nevojë urgjente për trajtim mjekësor për probleme në zemër dhe mushkëri.

Por, duke qenë nën vëzhgim të rreptë që kur kërkoi azil politik nga Ekuadori në Qershor 2012 dhe me rojet policore të vendosur përgjatë Ambasadës nga jashtë saj, duket se fati i tij është të përfundojë me pranga në duar sapo të lërë ndërtesën.

Korrespondenti i “Sky News Crime”, Martin Brunt, tha se “Assange dha një intervistë për një gazetë gjatë ditës së djeshme, në të cilën ai dukej shumë i dërrmuar shpirtërisht”.

“Duket se ai shpirti i luftarakut nuk ekziston më tek ai. Nga personat që i rrinë pranë është mësuar se ai është i sëmurë. Duket se vuan nga një problem në zemër, apo një shqetësim kronik në mushkëri, ka probleme me shikimin dhe me tensionin e lartë, e gjitha si pasojë e dy viteve fshehjeje në Ambasadën eduadoriane”.

Ai shtoi se Assange kishte nisur paraprakisht një zgjidhje diplomatike ndaj problemeve të tij, gjë që mund të arrihet brenda pak muajsh. 43-vjeçari është hetuar nga autoritetet amerikane, që kur Wikileaks publikoi dokumente të rrjedhura ushtarake dhe diplomatike në vitin 2010.

Ai kërkohet edhe nga Suedia, që ka lëshuar një mandat arresti, me akuzën se ka sulmuar seksualisht dy gra. Por, ai i mohon këto akuza. Assange raportohet të ketë thënë se nuk kërkon të shkojë në Suedi, pasi i frikësohet ekstradimit në SHBA.

Top Channel