Ukrainë, rebelët: Po marrim furnizime

17/08/2014 00:00

Rebelët ukrainas po furnizohen me automjete të blinduara dhe luftëtarë të stërvitur në Rusi, me të cilët ata po planifikojnë të nisin një kundërsulm masiv ndaj forcave qeveritare, ka bërë të ditur një lider i separatistëve në një video të publikuar të shtunën.

Konflikti 4-mujor në Lindje të Ukrainës duket se ka arritur një fazë kritike, teksa Kievi dhe Perëndimi po mbikqyrin të nervozuar nëse Rusia do të ndërhyjë në mbështetje të rebelëve gjithnjë e më të rrethuar, një përpjekje që Moska e mohon prej kohësh.

Alexander Zakharchenko, kryeministër i Republikës së vetshpallur Popullore të Donjeckut, tha se rebelët ishin duke siguruar 150 mjete të blinduara, përfshi 30 tanke, si dhe 1200 luftëtarë të cilët janë stërvitur prej 4 muajsh në Rusi.

“Ata do të na bashkohen në momentin më vendimtar”, tha ai në një video të regjistruar të premten. Megjithatë, ai nuk specifikoi se nga vinin mjetet. Moska është vendosur nën ndikimin e sanksioneve të ashpra të Perëndimit, për shkak të aneksimit që i bëri Krimesë nga Ukraina, si dhe akuzave për mbështetje të separatistëve në Lindje të Ukrainës me armë, luftëtarë dhe financime. Akuza këto që Rusia i mohon.

Një sinjal shqetësimi ndaj komenteve të fundit të rebelëve, Kancelarja gjermane Angela Merkel dhe Presidenti ukrainas Petro Poroshenko ranë dakord gjatë një telefonate të së shtunës, se dërgimi i armëve ndaj separatistëve në Ukrainë duhet ndalur dhe duhet arritur një armëpushim, siç deklaroi një zëdhënës i qeverisë gjermane.

Rreziku i një lufte të hapur mes dy shteteve më të fuqishme të ish-Bashkimit Sovjetik është theksuar gjatë së premtes, kur Ukraina tha se kishte shkatërruar pjesërisht një autokolonë të blinduar që kishte kaluar kufirin nga Rusia.

Por, Moska nuk ka bërë asnjë kërcënim për hakmarrje, duke shtuar se kjo ka qenë një “fantazi” e ukrainasve që mjete të blinduara kanë hyrë në territorin e saj.

Edhe zv/presidenti amerikan Joe Biden foli me Poroshenkon të shtunën, teksa Shtëpia e Bardhë njoftoi se “dy liderët ranë dakord se dërgimi i autokolonave ushtarake të Rusisë përgjatë kufirit dhe në Ukrainë, si dhe furnizimi i vazhdueshëm i saj me armë ndaj separatistëve janë në kundërshtim me dëshirën për të përmirësuar situatën humanitare në Lindje të Ukrainës”.

Ministri i Jashtëm ukrainas, Pavlo Klimkin, bëri thirrje ndaj NATO-s që të ofrojë mbështetje ushtarake për trupat ukrainase.

Ndërkohë, të dielën, siç deklaron një zëdhënës i ushtrisë ukrainase, separatistët pro-rusë kanë qëlluar një avion luftarak ukrainas, MIG-29, në rajonin e Luhanskut përgjatë natës. Piloti mundi të dalë dhe është gjetur pas kërkimeve, shtoi Oleksiy Dmytrashkivsky.

Top Channel