“Sesioni i ri të nisë me skandalin në BSH”

17/08/2014 00:00

Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, ka reaguar sërish mbi skandalin e vjedhjes së 713 milionë lekëve në Bankën e Shqipërisë.

Përmes një postimi në faqen e tij në Facebook, Braçe thotë se do t’i propozojë Komisionit të Ekonomisë, që sesionin e ri të Kuvendit ta nisë me analizën dhe nxjerrjen e përgjegjësive ligjore për guvernatorin e Bankës së Shqipërisë; Këshillin Mbikqyrës dhe Inspektorin e Përgjithshëm; përgjegjësitë në raport me ngjarjen e rëndë të vjedhjes në Bankën e Shtetit dhe përgjegjësitë në raport me të tjera fenomene të rënda, që kanë ndikimin e tyre në abuzime me pozitat drejtuese, mbingarkimin e strukturës së bankës, mbushjen e saj me lidhje nepotike e politike, duke cënuar rëndë pavarësinë e Bankës së Shqipërisë.

Deputeti socialist vijon më tej se, nxjerrja e përgjegjësive dhe analiza duhet të ngarkojë me përgjegjësi të drejtpërdrejt secilin nga institucionet drejtuese të Bankës së Shqipërisë dhe, në përputhje me ligjin, edhe masat për to; të shërbejë për një rishikim të plotë të ligjit, së bashku me institucionet financiare ndërkombëtare, për të theksuar pavarësinë e plotë e funksionale, operacionale, transparencën e kontrollin, ndalimin e fortë të konfliktit të interesit të gjithkujt, që drejton apo punon në Bankën e Shqipërisë, shkarkimin e menjëhershëm të kujtdo drejtuesi të mandatuar, kur veprimet dhe mosveprimet e tij cënojnë rëndë interesat e saj.

“Kuvendi ka për të plotësuar dy vende bosh në Këshillin Mbikqyrës të Bankës së Shqipërisë. Por, puna nuk mund të nisë nga këtu! Nuk mund të bëjmë sikur nuk ka ndodhur gjë! Më parë përgjegjësitë. Pastaj plotësimet e domosdoshme ligjore e burimet njerëzore”, përfundon postimin e tij deputeti Braçe.

Përkundër presionit në rritje nga opinioni publik, ditën e enjte, Këshilli Mbikqyrës i Bankës së Shqipërisë konfirmoi sërish guvernatorin Ardian Fullani në postin drejtues të Bankës Qëndrore. Në një mbledhje të jashtëzakonshme, që zgjati për më shumë se 4 orë e gjysmë, Këshilli diskutoi për skandalin e paprecedent të vjedhjes së Thesarit, por në përfundim të saj anëtarët e tij kanë shmangur deklaratat publike mbi debatet e zhvilluara.

Top Channel