Operacionet kundër ISIS në Irak

17/08/2014 00:00

Burime kurde kanë bërë të ditur se forcat e tyre “po avancojnë” në një ofensivë për të rimarrë digën e Mosulit nga kontrolli i grupit xhihadist, Shteti Islamik (IS).

Një operacion i përbashkët mes forcave kurde, të mbështetur edhe nga sulme ajrore të SHBA-ve, po zhvillohet që prej orës 5 të mëngjesit të së dielës në Irak, bëjnë të ditur burimet.

Diga, një impiant strategjik, e cila furnizon me ujë dhe elektricitet Irakun verior, është pushtuar nga militantët e IS më 7 Gusht. Xhihadistët kanë pushtuar një pjesë të madhe të territorit në Irak dhe Siri, duke detyruar miliona vetë të zhvendosen.

Siç raportohet, sulme ajrore nga SHBA-të kanë vijuar prej orës 9 të mbrëmjes së të shtunës, kundër objektivave të IS pranë digës dhe qytetit të Irbilit.

Gjithsej janë goditur 14 mjete të zotëruara nga militantët e iS, përfshi edhe një mjet të blinduar të lënë në Irak nga Shtetet e Bashkuara, kur ato u tërhoqën 3 vite më parë, por që tashmë kishte përfunduar në duart e militantëve.

Sipas korrespondentit të BBC në Irbil, qytet në Kurdistan, ka shpresa që militantët të detyrohen të largohen nga diga, nga kërcënimi i forcës ekstreme që mund të ushtrohet ndaj tyre. Diga shihet si një objektiv jetësor, mbi të gjitha për shkakun se shkatërrimi i saj do të shkaktonte një fatkeqësi, duke përmbytur me një valë ujore prej 20 metrash lartësi në qytetin e Mosulit e më pas drejt Bagdadit.

Cameron: ISIS rrezikon Londrën dhe Mesdheun

E ndërsa në terren, përpjekjet për zmbrapsjen e ISIS-it vazhdojnë, kryeministri britanik David Cameron foli për “Sunday Telegraph” për nevojën e një reagimi të palëkundur, i cili të përfshijë rrugët e ndihmës, diplomacisë, por edhe ato ushtarake, në përballjen me mbështetësit e Shtetit Islamik në Irak e Levant.

Bashkë me Gjermaninë e disa vende të tjera, Mbretëria e Bashkuar po shpërndan ndihma humanitare për refugjatët në veri. Cameron paralajmëron se, pa ndërmarrjen e veprimeve urgjente, kjo degë e helmët e ekstremizmit islamik, – siç e quan ai, – do ta çojë terrorin në rrugët e Anglisë.

Bota, – thotë kreu i ekzekutivit britanik, – nuk mund të mbyllë njërin sy përballë krijimit të një kalifati të terrorit në zemër të Irakut. E teksa luftëtarët e ISIS-it kontrollojnë sot mijëra kilometra katrorë në Irak e Siri, Cameron duket i bindur se po të mos frenohen tani, këta ekstremistë barbarë do të krijojnë një shtet terrorist në brigjet e Mesdheut.

Top Channel