Gjermanët kanë përgjuar edhe Turqinë

17/08/2014 00:00

Pretendimet e “Der Spiegel” për shtrirjen e aktivitetit të Shërbimit Informativ gjerman, me përgjimin e Hillary Clintonit kur ishte Sekretare Shteti, e më pas edhe njeriut që zuri vendin e saj në këtë post, John Kerry-t, pasurohen me të tjera pohime befasuese.

BND-ja, sipas revistës së njohur gjermane, ka survejuar për vite me radhë edhe Turqinë. “Der Spiegel” thotë madje se, partneri i NATO-s ende shfaqet si objekt zyrtar survejimi në një listë të qeverisë gjermane të vitit 2009, që mbetet aktuale edhe sot.

Ekzekutivi gjerman përcakton çdo katër vjet ojektivat prioritare të Shërbimit Informativ, profili i të cilit, për shkak të skandalit të përgjimit të NSA-së, ende nuk është rinovuar.

Nga informacionet e “Spiegel”-it rezulton të jetë përgjuar të paktën një bisedë e Kerry-t. Biseda telefonike e zhvilluar në vitin 2013, me lidhje satelitore, ka përfunduar në të ashtuquajturin “material dytësor” të rrjetës së përgjimit të BND-së, e cila shtrihet në Lindjen e Afërt, ashtu siç kishte ndodhur më parë edhe me telefonatën e Clintonit.

Sipas “Spiegel”-it, Clinton në atë kohë zhvillonte një bisedë me ish-Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Kofi Annan. Telefonatat e politikanëve nuk janë përgjuar qëllimisht por rastësisht, në kuadër të operacioneve të tjera, shkruan revista, e cila i referohet qarqeve të sigurisë.

Që Clinton është përgjuar, kjo u raportua edhe nga gazeta “Süddeutsche Zeitung” dhe radiot NDR dhe WDR të premten. “Deutsche Welle” thotë se kjo rezulton nga dokumente, që një spiun i kapur në Korrik në BND i ka dorëzuar CIA-s. Spiuni pranoi se, gjatë dy viteve të fundit, i ka dorëzuar Shteteve të Bashkuara të paktën 218 dokumente.

Top Channel