Farage, pasardhës emigrantësh

17/08/2014 00:00

Nigel Farage është i palëkundur në qëndrimin e tij kundër emigrantëve. Për liderin e UKIP-it, asnjë i huaj i pakualifikuar nuk duhet të shkelë në Britani.

Por, “Daily Mail” ka zbuluar se politikani, që pikërisht falë kësaj linje u shfaq triumfues në votimet për Parlamentin Europian e që mund të kthehet në figurë të rëndësishme të politikës vendase nga zgjedhjet e përgjithshme të vitit të ardhshëm, është edhe vet pasardhës emigrantësh.

Stërgjyshi i tij, Nikolaus Schrod, ishte lindur e rritur në Gjermani e në rininë e vet ishte zhvendosur në Britani pa asnje kacidhe në xhep. Për hir të së vërtetës – shkruan “Daily Mail”,-  Schrod, që ndërroi jetë pa mbushur 45 vjeç, nuk ishte ndonjë emigrant nga ata që mbushnin rrugët për të lypur, por një njeri, i cili mund të cilësohet si model i punonjësit të huaj për kohën. Ai u përpoq shumë që t’i dhuronte familjes së vet mundësinë e një jete të re e më të mirë.

E përditshmja britanike pretendon se 50-vjeçari e ka ditur gjithmonë origjinën e tij të vërtetë, por ka zgjedhur ta mbajë atë të fshehtë, që prej vendosjes në krye të UKIP-it në 2006-n.

Në fakt, në asnjërën prej intervistave të shumta, që Farage ka dhënë përgjatë dekadës së fundit, nuk e ka përmendur kurrë parardhësin e tij emigrant gjerman, ndërsa në librin e kujtimeve “Flying free” i referohet gjyshes së tij, Gladys Schrod, si një zonjë e hijshme e si një angleze e vërtetë në çdo drejtim.

Top Channel