Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike vijon aksionin në zonën e Jugut, për prerjen e lidhjeve të paligjshme dhe ndërhyrjeve në matësa nga familjarë apo biznese të ndryshme. Vetëm në qytetin e Fierit, OSHEE ka konstatuar me dhjetra raste të ndërhyrjeve në matësa dhe linja të dyta të instaluara në mënyrë të paligjshme.

“Drejtoria Rajonale Fier në OSHE, gjatë javëve të fundit ka kryer 399 kontrolle tek abonentët familjarë dhe 53 tek ata privatë. Në 37 raste, matësit janë gjetur jashtë normave të lejuara, në 3 raste u gjetën linja të dyta të instaluara në mënyrë të paligjshme, ndërsa në 42 u konstatuan ndërhyrje në matje”, tha Olsi Isufaj, shef i zyrës së Kujdesit ndaj Klientit.

Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike thotë se për të gjitha rastet e abuzimeve të gjetura gjatë këtyre muajve është njoftuar policia dhe janë kryer kallëzime penale.

“Prej Janarit, Drejtoria Rajonale Fier ka bërë kallëzime penale për vjedhje energjie elektrike për 88 abonentë familjarë dhe 252 abonentë privatë”, tha më tej Olsi Isufaj.

Ndërkohë, një ngjarje e rëndë është shënuar një ditë më parë në Babrru të Tiranës, ku një person mbeti i vdekur në shtyllën elektrike, ndërsa tentonte të rilidhte energjinë në mënyrë ilegale, pasi specialistët e Operatorit të Shpërndarjes ia kishin shkëputur.

Top Channel