Operacion amerikano-kurd kundër IS-it

16/08/2014 00:00

Forcat kurde, të mbështetura nga sulmet ajrore amerikane, po luftojnë për të rimarrë nën kontroll Mosulin nga militantët e Shtetit Islamik në veri të Irakut.

Operacioni për rimarrjen nën kontroll qytetin nisi në orët e para të së shtunës me sulme ajrore të avionëve “F-18” dhe avionë të telekomanduar, deklaruan burime amerikane.

Ndërkohë, luftëtarët kurdë kanë bombarduar pozicionet e militantëve dhe aktualisht raportohet për një sulm të pakonfirmuar në terren.

Të paktën 11 luftëtarë të fraksionit IS janë vrarë, thanë burime nga Mosuli për BBC. Ndërsa një raportim tjetër sugjeron se një avion amerikan i telekomanduar shkatërroi dy automjete që u përkisnin militantëve.

Grupi ekstremist sunit, që mori nën kontroll Mosulin këtë verë, është akuzuar për masakra të reja ndaj popullsisë jomyslimane.

Të paktën 80 persona, burra nga komuniteti Yazidi, u vranë dhe shumë gra e fëmijë u rrëmbyen në fshatin Kauju ditën e premte. Raportohet se burrat u ekzekutuan pasi refuzuan të konvertoheshin në myslimanë.

Ndërkohë, ministri i Jashtëm gjerman, Frank Walter Steinmeier vizitoi Irakun, në një moment kur vendet e Perëndimit kanë shtuar ndihmat për lehtësimin e situatës.

Top Channel