Nuk ndalen ndotjet në Lukovë e Golem

16/08/2014 00:00

Për disa ditë me radhë mbetjet të cilat hidhen nga komuna e Lukovës në krah të rrugës nacionale, pranë Qafës së Meqinjes digjen duke shkaktuar një ndotje alarmante.

Drejtori i Agjencisë Kombëtare të Bregdetit, Auron Tare, jo vetëm e ka denoncuar këtë fakt por ka kërkuar marrjen e masave urgjente nga kryetari i komunes Lukovë, Vladimir Kume, i cili është gjobitur nga inspektoriati me 1 milion lekë.

Drejtuesi i Agjencisë Kombëtare të Bregdetit akuzon vetëm komunën për ndeshjen e zjarrit për të djegur mbeturinat.

Nga ana tjetër, kryekomunari, edhe pse është gjobitur nga Inspektoriati i Mjedisit i cili ka kërkuar që mbetjet e kësaj komune të grumbullohen në një tjetër vend ku të mos jetë i dukshëm për vizitorët, nuk ka marrë asnjë masë.

Vazhdon ndotja në plazhin e Golemit
Hotelet ende shkarkojnë ujërat e zeza në det

Ndonëse ndotja detare është kufizuar këtë sezon turistik, sërish ka zona turistike që ende vuajnë pasojat e derdhjes së ujërave të zeza në det. Një prej tyre është plazhi i Golemit.

Pushuesit ankohen për ujërat e zeza që gjarpërojnë përmes brezit të rërës dhe derdhen në det, ndërsa kërkojnë ndërhyrjen e pushtetit vendor. Ndërkohë, strukturat përgjegjëse ndjehen të pafuqishme për ta bllokuar këtë situatë.

Përfaqësues të komunës Golem shprehen se në bashkëpunim me policinë komunale, inspektorët e Mjedisit dhe policinë e rendit kanë kryer kontrolle dhe vendosur masa administrative ndaj subjekteve abuzive, por situata paraqitet e njëjtë.

“Jemi ne që kemi vënë para përgjegjësisë këto subjekte, që natën derdhin ujërat e zeza në këtë lum që kemi pranë. Kanalet e ndërtesave nuk janë lidhur me kanalet e ujërave të zeza dhe është e pamundur që të bëhet sistemimi i tyre”, deklaron Sherbet Çelhaka, shef i shërbimeve pranë Komunës së Golemit.

Investimi i Komunitetit Europian për ndërtimin e rrjetit kryesor të kanalizimeve në bregdet pritet të shoqërohet me të tjera investime për realizimin e rrjeteve dytësore e tretësore që do të mundësojnë lidhjen e godinave me këtë rrjet.

Deri atëherë, ndërtimet e shumta do të vijojnë të funksionojnë me gropa septike që derdhen në mënyrë të paligjshme në det. 

Top Channel