Lëvizja në kufi, masa por sërish radhë

16/08/2014 00:00

Policia e Shtetit thotë se ka ndërmarrë një program të posaçëm për mbarëvajtjen e sezonit turistik, duke vendosur detyra specifike për policinë kufitare dhe atë të emigracionit për menaxhim sa më efikas dhe të shpejtë në hyrje-daljet e të gjitha pikave kufitare.

Sipas shifrave të publikuara, numri i personave që kanë hyrë në territorin e Shqipërisë tre muajt e fundit është disa herë më i lartë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

“Në pikat me fluksin më të madh kemi shtuar 55 poste pune, të ndara sipas ngarkesës së tyre. Kështu, në Muriqan janë shtuar 6 poste, në Hanin e Htoti 2, në Morinë 6, në Durrës 13 dhe Rinas 6 poste të tjera.

Për periudhën 1-15 gusht, që është dhe ajo më e ngarkuara, kanë hyrë në vend 1 milion e 418 mijë shtetas, bashkë me 360 mijë e 330 automjete.

Krahasuar me periudhën e kaluar kemi 115 mijë shtetas më shumë që kanë hyrë e dalë në territorin e vendit”, deklaroi Genci Merepeza, shef i sektorit të Kufirit të Gjelbër në Policinë e Shtetit.

Fundjava, sërish radhë në Kapshticë

Fundjava ka shënuar sërish radhë dhe probleme në pikën kufitare të Kapshticës, si pasojë e punës me ritme të ngadalta të palës greke.

Pasi erdhën për të festuar në vend  ditën e Shën Mërisë, emigrantët shqiptarë sërish kanë tentuar të kalojnë kufirin, por janë detyruar të presin në radhë para se t’u afrohen sporteleve të palës greke.

Prej mesditës në këtë pikë të kalimit kufitar qindra emigrantë kanë qëndruar në pritje për shkak të numrit të reduktuar të sporteleve dhe vonesave nga pala greke.

Radha e mjeteve i ka kaluar 500 metrat kur pala greke ka punuar me 3 sportele, 2 për automjetet e vogla dhe një për autobusët, duke i lënë ato të grumbullohen për shkak të ritmeve të ngadalta të punës, ndërsa nga pala jonë është punuar me 6 të tilla.

Top Channel