“Summer Fest 2014” ul siparin

15/08/2014 00:00

Edicioni i 3-të i “Summer Fest 2014” është mbyllur mbrëmjen e së enjtes në qytetin bregdetar të Durrësit. Me mijera njerëz, qytetarë durrsakë dhe pushues të grupmoshave të ndryshme, kanë ndjekur për rreth 3 orë spektaklin veror në shëtitoren “Taulantia”.

Nën prezantimin e Ledion Liços dhe Luana Vjollcës, ata kanë ndjekur spektaklin ku morën pjesë këngëtarë si Marsela Çibuku, Samanta Karavello, grupi “Kaos”, DJ Blunt & Real 1, Ronela Hajati, Besa Kokëdhima, si dhe balerinët e trupës së “Top Channel”, aktorë të “Portokallisë” dhe artistë të cirkut.

Në këtë sezon u zhvilluan dy konkurrime, në kërcim dhe modeling. Përgjatë mbrëmjes janë shpallur edhe dy grupet fituese të “Dance Zone”, të moderuar nga balerini Klajdi Selimi, si dhe 5 modelet më të mira, të gjitha këto elementë që kanë elektrizuar publikun.

“E shoh që edhe pse jemi në 2014-n ka një dëshirë shumë të madhe për të festuar. Por, ka pak gjëra me të cilat mund ta bësh këtë. Kështu që ne dhe Bashkia kemi mundësuar diçka të tillë, por duhet të ketë më shumë shfaqje, pasi shoh që ka një dëshirë shumë të madhe”, u shpreh prezantuesi Ledion Liço.

Kjo natë e fundit e “Summer Fest 2014” emocionoi edhe vet këngëtarët. Samanta Karavello është mirëpritur me këngën e saj më të re, ndërsa për Besa Kokëdhimën, pjesëmarrëse në të tre edicionet e spektaklit, ndalesa në qytetin e Durrësit, që përmbylli dhe turin e “Summer Fest” në trojet shqiptare, por dhe në Kosovë e Maqedoni, ishte e para.

“Me sa duket unë do të jem gjithnjë e rregullt, pasi deri më tani kam qenë prezente në çdo edicion. Jam e gëzuar që këtë herë isha në Durrës, pasi gjithmonë më vendosin në Vlorë apo Sarandë, edhe pse këto qytete i dua shumë. Por, këtë herë më pëlqeu vërtet të isha afër publikut në Durrës”, u shpreh këngëtarja Besa Kokëdhima.

“Publiku i Durrësit sonte ishte i zjarrtë, ia kalova shumë mirë. Pritshmëria e këngës sime të re më la pa mend. Falemnderit shumë, pasi neve na duhet gjithnjë mbështetja e publikut, që përbën edhe kënaqësinë më të madhe që marrin për artistët”, deklaroi këngëtarja Samanta Karavello.

“Summer Fest” është një projekt i Fondacionit Mediatik “Dritan Hoxha”, i mbështetur mediatikisht nga “Top Channel”, “Digitalb” dhe “Top Albania Radio”, me producente të spektaklit Ledia Likun, dhe regji televizive nga Ergys Lubonja. Ai u realizua në Durrës me mbështetjen e Bashkisë së qytetit dhe Agjencisë Kombëtare të Turizmit.

Top Channel