SHBA, vrasja e të riut, agjenti do identifikohet

15/08/2014 00:00

Policia e lokalitetit Ferguson, në Misuri të Shteteve të Bashkuara, ka vendosur të bëjë publik emrin e agjentit që qëlloi dhe vrau adoleshentin me ngjyrë, Michael Brown.

Lajmin e bën të ditur rrjeti informativ amerikan CNN, që citon burime të afërta me hetimet, sipas të cilave identiteti do të zbardhet më vonë gjatë së premtes.

Ndërkohë, policia amerikane sa vjen e përfshihet në syrin e ciklonit, pasi pak ditë pas vrasjes së Brown, një tjetër rast i ngjashëm është verifikuar në Los Anxheles.

Në qytetin e ëngjëjve, një djalë 25-vjecar, edhe ai me ngjyrë, është vrarë nga policia me disa të shtëna, edhe pse ishte shtrirë në tokë për të zbatuar urdhërat e agjentëve.

Sipas CNN, edhe pse u transportua në spital ku iu nënshtrua edhe një ndërhyrjeje kirurgjike, i riu ndërroi jetë. Rrethanat e ngjarjes nuk janë ende të qarta, por dëshmitarë nga vendi i ngjarjes fajësojnë abuzimin me përdorimin e forcës nga policia.

Nga ana e tyre, agjentët e zonës vënë në dukje se të gjithë ishin në dijeni të problemeve mendore të të riut. “Kanë përdorur forcën pa asnjë motiv.

E qëlluan disa herë teksa ishte i shtrirë në tokë. Kur mbërriti e ëma, as që e ngushëlluan”, tregon një dëshmitar për mediat amerikane.

Më herët, situata e ndezur në Misuri nga vrasja e Michael Brown detyroi edhe vetë presidentin Barack Obama të bënte thirrje për qetësi dhe t’i apelonte policisë vetëpërmbajtje.

Top Channel