
Policia Metropolitane e Londrës ka zbuluar për herë të parë në historinë e saj identitetet e dy oficerëve të saj që punonin si të infiltruar.
Kjo ka ndodhur pasi operativët e fshehtë, Jim Boyling dhe Bob Lambert, akuzohen se kanë mashtruar disa femra, duke i bindur të kryejnë marrëdhënie seksuale me ta pa zbuluar se cilët ishin në të vërtetë.
Policia Metropolitane është paditur nga tre femra, por nga ana e saj ka hedhur poshtë akuzat për keqveprim të agjentëve të saj. Struktura policore elitë në Britaninë e Madhe në qëndrimin e saj ka argumentuar se marrëdhëniet bazoheshin në ndjenja “të sinqerta”.
Zyrtarisht, për të ruajtur sigurinë e agjentëve të infiltruar politikat e policisë kanë qenë të tilla që as pohonin dhe as mohonin identitetet e tyre në çdo rrethanë.
Por muajin e kaluar një gjyqtar i Gjykatës së Lartë vendosi se Scotland Yard nuk mund të bazohet tek kjo politikë në rastet e agjentëve Boyling dhe Lambert dhe me një lëvizje të papreçedentë njësia ka konfirmuar se ata punonin si të infiltruar.
Autoritetet e SY deklaruan se agjenti Boyling kishte pasur marrëdhënie me dy gra në fund të viteve ’90, teksa punonte në fshehtësi. Më pas ai u martua me një prej tyre dhe me të ka dy fëmijë.
Ndërsa agjenti Lambert ka pasur një marrëdhënie në vitet 1980 me një grua që u takua në një festë për të drejtat e kafshëve, edhe ky në kohën kur punonte si i infiltruar.
Sipas raportimeve të BBC, në vitet ’80 të dy agjentët gjatë misioneve të tyre janë hequr si aktivistë politikë.
Top Channel