Nishani kthen të gjitha ligjet

15/08/2014 00:00

Tashme është zyrtare; mes Presidentit dhe mazhorancës ka nisur lufta e hapur. Mesditën e të premtes nëpërmjet tre dekreteve Presidenti Republikës në një rast të paprecedentë deri më sot brënda një dite ka kthyer mbrapsht 3 ligje të vlerësuara si tejet të rëndësishme nga mazhoranca e majtë qeverisëse.

Ligji i parë që ka marrë JO-në e Bujar Nishanit është  ai “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatave Administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative” duke argumentuar se “ndryshimet ligjore që sjell ky ligj, janë në kundërshtim me nenet 7 dhe 145 të Kushtetutës, me jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese dhe shkelin parimin kushtetues të shtetit të së drejtës”.

Një tjetër ligj i rrëzuar nga Buajar Nishani është ai për “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë ligj të cilin mazhoranca qeverisëse e shikon si të një rëndësie të veçantë në një kohë kur Këshilli i Lartë i Drejtësisë është kthyer në mbrojtëse të rasteve korruptive, siç ishte rasti i gjyqtarit Gjin Gjoni.

Presidenti Nishani në dekretin e tij shprehet se ligji  “Kufizon kompetencën e Presidentit të Republikës në cilësinë e Kryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, për të propozuar si Zv.kryetar cilindo nga anëtarët e këtij Këshilli, dhe heq të drejtën që i ka dhënë Kushtetuta anëtarëve nga radhët e gjyqësorit për t’u propozuar në postin e  zv.kryetarit të KLD-së. Kreu shtetit argumenton se ndryshimet ligjore tejkalojnë parashikimet kushtetuese duke cenuar parimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve si dhe parimin e hierarkisë së normave.

Ligji i tretë i kthyer me firmën e Presidentit Nishani është ai për Policinë e Shtetit. Konstatoj, thotë Presidenti se tek ligji i ri, në nenin 2 “Misioni i Policisë së Shtetit”  kemi  një shtesë të misionit të veprimtarisë së Policisë së Shtetit, e konkretisht atë të ruajtjes së  personaliteteve të larta shtetërore dhe të objekteve të rëndësisë së veçantë.

Ndërsa për atë që quhet si risi e këtij ligji “Byronë Kombëtare të Hetimit” Presidenti argumeton “se kemi të bëjmë me një strukturë e cila  krijon paralelizma në kompetenca dhe kontradiksion me objektin e veprimtarisë së organit të Prokurorisë dhe Policisë Gjyqësore për të cilat ka tashmë një kuadër ligjor që e mirëpërcakton”.

Tre dekretet e Presidentit që janë një kundërshtim i hapur i reformave që kërkon të ndërmarrë qeveria, e vendosin Bujar Nishanin si asnjëherë tjetër në një  kurs të fortë përplasje, të cilin Kryeministri Edi Rama disa ditë më parë e ka quajtur si një “kundërvënie e pastër e votës së 1 milion shqiptarëve”, ndërkohë që vetë Presidenti është shprehur se nuk do të tërhiqet për shkak të intimidimeve.

Rama: Pseudoargumente të PD. Reforma në polici nuk ndalet”

Nuk ka munguar reagimi i kryeministrit Edi Rama ndaj tre dekreteve të presidentit Nishani, i cili përmes një postimi në Facebook i ka cilësuar pretendimet e tij si “pseudoargumenta të PD”.

“Presidenti kthen mbrapsht ligjin për Policinë dhe rreshton pseudoargumentat e PD për një ligj të punuar me partnerët ndërkombëtarë. Keqardhje”, thotë Rama.

Por përmes rrjetit social shefi i qeverisë paralajmëron gjithashtu se reforma e nisur në Policinë e Shtetit do të vijojë dhe përjashton mundësinë e rishikimit të pikave të propozuara nga Nishani.

“Por është e kotë. Refoma nuk ndalet, Kuvendi do ta kalojë përsëri Ligjin e Policisë pa asnjë ndryshim. Pseudoargumentat e PD nuk vlejnë”, ka thënë Rama.

Top Channel