Irak, sunitët mbështesin kryeministrin e ri

15/08/2014 00:00

Udhëheqësit e minoritetit sunit në Irak shprehën gatishmërinë për të punuar me qeverinë e re të Kryeministrit Haider al-Abadi kundër grupit ekstremist sunit, ISIS.

Në një deklaratë të përbashkët udhëheqësit sunitë të gjashtë provincave ku jeton ky minoritet, këshillat përkatës dhe drejtuesit e fiseve thonë se janë të gatshëm të mbështesin qeverinë e re nëse garantohen disa të drejta për këtë minoritet, përfshirë këtu vetqeverisja vendore.

Deklarat kërkon që të ndalen bombardimet mbi qytetet sunite, të reformohet ushtria irakiane, të lirohen të burgosurit politikë dhe të tërhiqen të gjitha milicitë shiite nga qytetet e minoritetit sunit.

Mbështetjen për formimin sa më parë të një qeverie të re e ka dhënë edhe Ajatollahu Ali al-Sistani që i kërkon Kryeministri Haider al-Abadi që të formojë një qeveri të fortë dhe efikase.

Nga ana tjetër, Ali Hatem Suleimani, një udhëheqës i zëshëm i sunitëve u shpreh i gatshëm për të bashkëpunuar me qeverinë e Kryeministrit të ri nëse mbrohen të drejtat e minoritetit, ndërsa shtoi se vendimi për t’iu kundërvënë ose jo ISIS, do të merret më vonë.

Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Europian zhvilluan një takim të jashtëzakonshëm për të diskutuar mbi situatën e krijuar në Irak nga avancimi i ekstremistëve të ISIS dhe për të parë mundësinë e mbështetjes me armë dhe logjistikë ushtarake luftëtarët kurdë.

Deri më tani me rënien njëri pas tjetrit të qyteteve të Irakut, Republika Autonome Kurde në veri të vendit ka rezultuar me efikasja në rezistencën ndaj ISIS. Por pas muajsh të tërë luftimesh në zonën përreth Iriblit, kurdët apeluan për ndihmë nga ndërkombëtarët.

Megjithëse mbledhja e kryediplomatëve të BE-së nuk doli me një vendim konkret, palët ranë dakort që t’i bashkohen çdo nisme të ndërmarrë nga Franca dhe Shtetet e Bashkuara për të ndihmuar ushtarakisht luftëtarët kurdë të Peshmergas.

Ministri i Jashtëm gjerman, Frank-Walter Steinmeier njoftoi një vizitë në Iraq ku do të takohet më udhëheqësit kurdë dhe drejtuesit e qeverisë së re në Bagdad për të diskutuar mbi ndihmën e nevojshme.

“Nuk mund të qendrojmë dhe të shikojmë kur njerëzit theren dhe masakrohen atje. Nëse dhuna dhe kërcënimi ekstremist mbetet në të tilla nivele siç është aktualisht duhet të marrim në konsideratë dërgimin e armëve në Irak”, tha ai për gazetarët në përfundim të takimit të Ministrave të Jashtëm të BE-së.

Uashingtoni miratoi kërkesën për dërgimin e armëve në këtë pjesë të Irakut duke i parë kurdët si e vetmja forcë serioze në përballimin e ISIS në kohën që në Bagdat lufta politike la vendin pa qeveri për javë të tëra.

Haider al-Abadi mori detyrën e Kryeministrit ditën e enjte duke i dhënë fund krizës institucionale që e kishte futur vendin në një spirale të rrezikshme politike në kohën më të gabuar të mundshme.

Top Channel