India, e turpëruar nga dhunimet

15/08/2014 00:00

India është turpëruar nga rastet e fundit të dhunimit të vajzave të mitura, deklaroi kryeministri indian Narendra Modi, teksa bëri fjalimin e tij për Ditën e Pavarësisë.

Ai u bëri thirrje prindërve që të mbajnë përgjegjësi për veprimet e djemve të tyre, duke thënë se ata duhet t’u mësojnë fëmijëve ndryshimin mes së drejtës dhe të gabuarës.

Me rastin e Ditës së Pavarësisë, kryeqyteti indian ka qenë nën masa të rrepta sigurie, me mijëra policë e ushtarë të vendosur nëpër rrugët e tij.

Modi, që udhëhoqi partinë e tij drejt fitores në zgjedhjet e përgjithshme të mbajtura këtë verë, nuk lexoi një tekst të përgatitur më parë dhe për herë të parë në shumë vite kryeministri nuk qëndroi prapa një xhami mbrojtës anti-plumb.

Ai dha disa mesazhe të rëndësishme sociale dhe pavarësisht se nuk kishte një fletë përpara, fjalimi i tij prej 1 ore nuk ngeci as edhe njëherë.

“Bëj thirrje për dhënien fund të dhunimeve, për më shumë përgjegjësi në familje dhe këshilloj prindërit që të rrisin djem më të mirë dhe jo vetëm të persekutojnë vajzat”, tha Modi.

Gjithashtu, ai u bëri një apel edhe mjekëve që t’u japin vund aborteve dhe këshilloi nënat që të mos përkushtohen vetëm pas djemve.

Për shumë vite me radhë, kryeministrat e Indisë e kanë përdorur fjalimin e përvitshëm të Ditës së Pavarësisë për të paralajmëruar Pakistanin, por zoti Modi përfitoi nga rasti historik për të shprehur shqetësimin e tij për çështjet sociale që shqetësojnë vendin.

Top Channel