Vrasja e adoleshentit, Misuri në flakë

14/08/2014 00:00

Guvernatori i Misurit, në SHBA, Jay Nixon i ka cilësuar protestat që pasuan vrasjen e adoleshentit me ngjyrë si “shumë sfiduese” dhe ka premtuar ndërmarrjen e një seri operacionesh për të lehtësuar situatën.

Në katër netët e fundit, agjentë të policisë, të armatosur rëndë, janë përleshur me protestuesit, të irrituar për vrasjen nga policia të adoleshentit me ngjyrë, Michael Brown.

Ndërsa presidenti Barack Obama, në një reagim të tijin, i ka bërë thirrje policisë që të mos përdorë “forcë të tepruar”. “Të gjithë ne duhet t’u përmbahemi standardeve të larta, sidomos ata si ne që janë në postin e zyrtarit”, ka deklaruar Obama.

Detaje të ngjarjes janë publikuar, por dëshmitarët deklarojnë se adoleshenti i çarmatosur i kishte duart lartë në momentin që u qëllua nga një oficer i policisë. Nga ana e saj, policia thotë se ka pasur një përplasje fizike dhe se oficeri në fjalë pësoi dëmtime në fytyrë.

Autoritetet nuk e kanë publikuar ende emrin e oficerit, duke thënë se janë të shqetësuara se jeta e tij dhe e familjarëve mund të vihet në rrezik.

Por ky vendim ka shkaktuar irritim tek dy të tretat e komunitetit me ngjyrë të lokalitetit Ferguson, kundër shumicës së bardhë në forcat e policisë.

Ndërkohë, grupi i hakerave online, Anonymous, më herët publikoi një emër që sipas tij i përkiste agjentit përgjegjës, por që më vonë u cilësua si i pasaktë nga autoritetet policore.

Në fjalimin e tij në një kishë të frekuentuar nga komuniteti me ngjyrë, zoti Nixon theksoi nevojën që njerëzit të ndihen të sigurtë, kudo në shtetin e Misurit.

Ai pranoi edhe të drejtën e banorëve për protestë ndaj padrejtësive, por vlerësoi se energjitë duhet të shprehen në mënyrën e duhur.

Top Channel