Ukrainë, nis bombardimi i Donjeckut

14/08/2014 00:00

Bombardime të artilerisë së rëndë kanë goditur qendrën e qytetit ukrainas të kontrolluar nga separatistët pro-rusë, Donjeck, për herë të parë që pas fillimit të krizës ruso-ukrainase. Lajmi konfirmohet për Reuters këtë të enjte, nga dëshmitarë në vendngjarje.

Njerëzit dolën nga zyrat e tyre dhe nga ambiente të tjera, për t’u strehuar në ambientet e ndërtesës kryesore të administratës lokale, pasi dëgjuan shpërthime të fuqishme pranë tyre, menjëherë pas një alarmi paralajmërues evakuimi.

Pak çaste më vonë, u dëgjuan të paktën dy shpërthime të tjera pranë qendrës së qytetit, me të rënë këmbana e alarmit për bombardime, tha një korrespondent i Reuters në vendngjarje.

Bombardimet vijnë në një moment kur autokolona me ndihma humanitare e Rusisë po i afrohet gjithnjë e më shumë kufirit lindor ukrainas. Megjithatë, ende është e paqartë nëse kamionët do të futen në territorin ukrainas apo jo.

Rusia ka mohuar, duke i quajtur absurde, pretendimet se autokolona e saj po përdoret si pretekst për të futur në Ukrainë armatime për rebelët. Por, Ukraina ka bërë të ditur se autokolona do të ndalohet nga monitorues ndërkombëtarë, përpara se furnizimet të futen në territorin ukrainas.

Ukraina miraton ligjin për sanksione ndaj Rusisë

Parlamenti ukrainas ka miratuar të enjten një ligj, i cili i vendos sanksione kompanive dhe individëve rusë, të cilët mbështesin apo financojnë rebelët separatistë në Lindje të Ukrainës. Kryeministri Arseny Yatsenyuk tha, javën e kaluar, se sanksionet do të vendoseshin ndaj 172 shtetasve të Rusisë dhe vendeve të tjera, si dhe 65 kompanive ruse “për financim të terrorizmit”.

Ndërkohë, Presidenti Vladimir Putin ka bërë të ditur po të enjten se rusët kishin nevojë të mobilizoheshin për të mirën e vendit të tyre, por jo për t’u përfshirë në ndonjë konflikt me botën e jashtme.

“Duhet të qetësohemi, me dinjitet dhe efiktivitet të ndërtojmë vendin tonë, jo ta izolojmë atë nga bota”, tha Putin gjatë një vizite në Krime, gadishull të cilin Rusia e aneksoi nga Ukraina në muajin Mars. “Duhet të konsolidohemi dhe të mobilizohemi, por jo për luftë apo ndonjë konfrontim tjetër. Por për punën e madhe në emër të Rusisë”.

Top Channel