Ukrainë, dorëhiqet lideri i rebelëve

14/08/2014 00:00

Lideri ushtarak i rebelëve pro-rusë në qytetin lindor të Ukrainës, Donetsk, Igor Girkin, ka dhënë dorëheqjen nga ky post.

Alexander Borodai, ish-kryeministri i Republikës së vetëshpallur të Donetskut, konfirmoi lajmin por mohoi zërat se Girkin, i njohur ndryshe si Strelkov, kishte mbetur i plagosur.

Së fundmi në qytetet lindore të Ukrainës ka pasur bombardime të rënda, të kryera nga trupat ukrainase në betejën kundër separatistëve.

Borodai konfirmoi largimin e Strelkov për mediat ruse, por nuk dha një motiv për këtë veprim të tij. Lajmet se Strelkov, me shtetësi ruse, kishte mbetur i plagosur ai i cilësoi si “mbeturina”.

“Ju me siguri tashmë e dini që ai, sikurse dhe unë, e ka lënë postin e tij. Republika Popullore e Donetskut ka tashmë një ministër të ri mbrojtjeje”, tha Borodai në një video të postuar në agjencinë ruse të lajmeve “Life Neës”, e njohur për qëndrimet pro-Kremlinit.

Ish-kryeministri e identifikoi ministrin e ri me emrin e tij të luftës, Car, ndërsa burime të tjera e identifikuan si Vladimir Kononov. Javën e kaluar në radhët e rebelëve ka pasur dy dorëheqje të profilit të lartë.

Vetë Borodai ia dorëzoi detyrën e kryeministrit të Donetskut Alexander Zakharchenkos, ndërsa shefi i rebelëve në Luhansk, Valery Bolotov tha se ia kishte dorëzuar përkohësisht detyrën të ashtuquajturit ministër të mbrojtjes, Igor Plotnitskiy.  

Top Channel