Rusi, Medvedev “dorëhiqet” në Twitter

14/08/2014 00:00

Hackers-at kanë mundur të sigurojnë akses gjatë së enjtes në llogarinë e kryeministrit rus, Dmitry Medvedev, në Twitter, ku dhe kanë postuar një mesazh dorëheqjeje të tij.

Në mesazhin, që cilësohet si i rremë, thuhej: “Dorëhiqem, sepse më vjen turp nga veprimet e qeverisë. Më vjen keq”. Megjithatë, zyra e Medvedev nxitoi të përgënjeshtronte menjëherë lajmin dhe të konfirmonte se llogaria e tij në rrjetin social ishte vjedhur nga hackersa.

Medvedev është vënë shpesh herë në shënjestër të ngjarjeve “humoristike” në Rusi, ndërsa disa njerëz e akuzojnë atë se është thjesht një kukull e presidentit Vladimir Putin. Duke përdorur pseudonimin e shkurtuar të emrit të Putinit, hackeri kishte shkruar më tej se “Kam pritur shumë gjatë për të ta thënë. Vova, je duke gabuar!”.

Në Rusi, ka pasur shumë zhgënjim mes klasës së mesme të popullsisë, pasi Medvedev dha dorëheqjen nga Presidenca dhe lejoi Putinin të rikthehej në krye të pushtetit për një mandat të tretë, në vitin 2012, një vendim që nxiti shumë protesta nëpër rrugët e Moskës.

Top Channel