Pentagoni: Jo mision evakuimi në Sinjar

14/08/2014 00:00

Misioni amerikan për të evakuuar minoritarët Yazidis, të bllokuar në malin Sinjar në veri të Irakut, pasi braktisën banesat e tyre për shkak të kërcënimit nga luftëtarët e Shtetit Islamik (ISIS), me shumë mundësi nuk do të kryhet, pas vlerësimeve të bëra nga një ekip ekspertësh amerikanë, bëri të ditur Pentagoni gjatë së mërkurës.

“Ekipi vlerësoi se ndodhen shumë më pak banorë të komunitetit Yazidis në malin Sinjar, nga sa mendohej fillimisht”, njoftoi Pentagoni përmes një deklarate. “Ata që mbeten ende në malin Sinjar janë në kushte shumë më të mira nga sa ishte raportuar, madje kanë edhe akses ndaj ushqimeve bazë të hedhura nga ajri prej Perëndimit”.

“Bazuar mbi këtë vlerësim, – deklaroi Pentagoni, – është përcaktuar se misioni i evakuimit mund të mos kryhet”, thuhej në deklaratë, ku shtohej se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të ofrojnë ndihmë humanitare, sipas nevojave.

Pentagoni konfirmoi situatën shumë herë më të mirë nga sa pritej të furnizimeve nga ajri me ushqime dhe ujë, vlerësoi sulmet ajrore amerikane ndaj objektivave të militantëve sunitë, përpjekjet e luftëtarëve kurdë të quajtur Peshmerga dhe aftësinë e mijëra minoritarëve Yazidis për t’u evakuuar nga mali Sinjar gjatë netëve të fundit.

Shtëpia e Bardhë kishte deklaruar më parë se SHBA-të nuk përjashtojnë përdorimin e trupave amerikanë në terren, në një operacion për të evakuuar civilët e bllokuar, por shtoi se ushtarët nuk do të përfshiheshin në luftime.

Ekipi me më pak se 20 anëtarë të personelit amerikan udhëtoi gjatë mëngjesit në malin Sinjar, e më pas u rikthye sërish i sigurt në kryeqytetin e Kurdistanit, Arbil, përmes forcave ushtarake ajrore. Në Arbil ndodhet një personel prej 130 ekspertësh, të cilët po merren hartimin e strategjisë për evakuimin e të bllokuarve në malin Sinjar, prej më shumë se 1 javë.

Top Channel