PD denoncon përgjimin e telefonave

14/08/2014 00:00

Partia Demokratike ngriti sërish gjatë së enjtes shqetësimin për sjelljen e komisionerit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, duke i bërë sërish thirrje qytetarëve që të mos dorëzojnë tek qeveria, bashkë me IMEI-n e celularit edhe jetën e tyre private.

“Partia Demokratike i bën thirrje qytetarëve që të mos e dorëzojnë IMEI-n, sepse IMEI është një nga rrugët më të sigurta të gjurmimit, përcaktimit të vendndodhjes dhe përgjimit të bisedave e mesazheve. Dhe nëse dikush zotëron kodin tënd të IMEI-t, jeta jotë kthehet në një libër të hapur. I bëjmë thirrje kompanive të telefonisë, të mos ia dorëzojnë qeverisë të dhënat personale të abonentëve, ndryshe do të përballen me pasojat ligjore dhe me bojkotin masiv të shqiptarëve”, deklaroi këshilltari ligjor i Partisë Demokratike, Gazmend Bardhi.

Ndërsa deputeti Sherefedin Shehu denoncoi “heshtjen dhe mungesën e reagimit” të kryeministrit Rama ndaj fakteve të publikuara kundër deputetit të Partisë Socialiste, Arben Ndoka, duke e akuzuar atë për inkriminim të Kuvendit.

“Në çdo rast, kërëenimi me jetë i deputetëve të një partie opozitare do të kishte bërë që çdo kryeministër të kishte reaguar minimalisht, por sot janë bërë 35 ditë që Rama nuk reagon aspak, edhe pse kanë dalë fakte rrënqethëse për inkriminimin e deputetit të partisë së tij, i cili është dënuar më parë për shfrytëzim prostitucioni. Por, Edi Rama hesht, sepse është vetë ai që i ka hapur rrugën atij personi për t’u bërë deputet, duke eliminuar dy kandidate femra radhazi nga lista e qarkut të Lezhës”, deklaroi Shehu.

Top Channel