Obama: Përçamë rrethimin në Irak

14/08/2014 00:00

Presidenti amerikan Barack Obama u ka bërë homazhe trupave të rëna në një operacion në veri të Irakut, që ndihmoi sipas tij në “çlirimin e rrethimit” dhe shpëtoi dhjetëra mijëra jetë të personave të zhvendosur.

Obama deklaroi se situata në malin Sinjar është përmirësuar ndjeshëm. Shumë nga të zhvendosurit kanë lënë tashmë malin dhe operacione të mëtejshme shpëtimi po zhvillohen, tha ai.

Megjithatë, presidenti tha se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të kryejnë sulme ajrore kundër militantëve të Shtetit Islamik.

Forcat irakene dhe ato kurde, që po luftojnë militantët, do të vazhdojnë të marrin asistencë ushtarake nga Uashingtoni, vijoi më tej shefi i Shtëpisë së Bardhë.

Ai ritheksoi nevojën që irakenët të gjejnë një zgjidhje krizës politike, duke e cilësuar perspektivën e një qeverie të re dhe gjithëpërfshirëse të udhëhequr nga Haider al Abadi si “një mundësi të madhe”.

“Ai ka ende një sfidë të madhe përpara, atë të formimit të qeverisë, por ne kemi shpresa modeste se situata po lëviz në drejtimin e duhur”, tha Obama.

Zotit Abadi, nënkryetar i Parlamentit iraken, i është kërkuar nga presidenti që të formojë qeverinë, por kryeministri në detyrë Nouri al Maliki, koalicioni i të cilit mori më shumë vota në zgjedhjet e prillit, ka kontestuar këtë mandatim duke e paditur në gjykatë.

Top Channel