Konflikti për semaforin në Tiranë

14/08/2014 00:00

Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës ka reaguar sërish për ndërhyrjen e policisë në vendosjen e një semafori në rrugën “Asim Vokshi”, duke mos lejuar vijimin e punimeve, edhe pse ditën e mërkurë ka ushtruar dhunë dhe ka shoqëruar në rajon 5 punonjës të Bashkisë së kryeqytetit.

“Sikur të mos kishte mjaftuar dhuna dhe shoqërimi i 5 punonjësve gjatë ditës së djeshme, policia sërish ka shkelur ligjin sot duke mos lejuar vijimin e punimeve, edhe pse duhet të ishte garant i zbatimit të ligjit. Jemi të bindur që tashmë kemi të bëjmë me një urdhër politik për të ndalur këtë projekt të Bashkisë së Tiranës. Duam t’u bëjmë të ditur qytetarëve se Bashkia kërkon përditë të ushtrojë detyrën e saj për të implementuar projektet bashkiake, por interesat politike dhe axhenda politike e kryeministrit Rama nuk janë në favor të publikut. I bëj thirrje edhe policisë së shtetit të bëjë detyrën e saj, të jenë në nivelin e duhur të fanelës së tyre. I bëj thirrje edhe kryeprokurorit Llalla të hetojë rrëmbimin në mes të ditës të 5 punonjësve të Bashkisë, 5 njerëzve të ndershëm që thjesht sa po bënin detyrën e tyre. I bëj thirrje edhe përfaqësuesve të të drejtave të njeriut, të mbajnë shënim këtë rast, pasi këtu po shkelen liri dhe të drejta themelore”, u shpreh Eno Bozdo.

Policia: Punimet e bashkisë të paligjshme

Ndërkohë polica e Tiranës ka reaguar nëpërmjet një deklarate për shtyp ndaj akuzave të bashkisë së kryeqytetit, duke sqaruar se nga hetimet e deritanishme rezulton se punimet janë të paligjshme dhe bëhen për interesa private të disa individëve.

“Semafori në fjalë nuk do të vendoset përpara shkollës së mesme “Harri Fultz”, siç pretendohet nga bashkia, por rreth 30-40 metra me larg, në kryqëzimin pranë një biznesi privat. Ky semafor është ndërtim i paligjshëm dhe pengon qarkullimin e mjeteve, për të cilat është një semafor në kryqëzimin që ndodhet vetëm 10 metra më larg, vetëm për komoditetin e një individi dhe ndërtimeve të tij”, thuhet në deklaratë.

Në dokumentin zyrtar theksohet se, nga shkeljet e konstatuara deri tani Policia e Tiranës ka bërë kallëzim penal për drejtuesit e bashkisë dhe punëtorët, të cilët sipas saj nuk kanë respektuar urdhërat e policisë për të ndërprerë punimet, si dhe kanë prerë pemët, gjithçka për interesat e një individi.

Top Channel