K. Veriut, 3 raketa me rreze të shkurtër

14/08/2014 00:00

Korea e Veriut ka lëshuar tre raketa me rreze të shkurtër drejt brigjeve lindore të saj, gjatë së enjtes, vetëm pak pasi Papa Françesku mbërriti në Seul, në vizitën e tij të parë në Azi, ka bërë të ditur Ministria e Mbrojtjes së Koresë së Jugut.

Raketat u lëshuan nga hedhës të shumëfishtë në qytetin port të Wonsanit, si dhe përshkuan një distancë prej 220 km, përpara se të binin në ujrat lindorë të gadishullit korean, deklaroi një zyrtar i kësaj Ministrie.

Raketa e fundit u lëshua 35 minuta përpara se Papa Françesku të zbriste në një bazë ajrore në Seul, ku Ati i Shenjtë nisi vizitën e tij 5-ditore në Korenë e Jugut.

Lëshimet erdhën përpara një stërvitjeje ushtarake mes Shteteve të Bashkuara dhe Koresë së Jugut, që parashikohet të nisë gjatë së hënës. Seuli dhe Uashingtoni thonë se stërvitja do të jetë me natyrë mbrojtëse, por Korea e Veriut proteston vazhdimisht ndaj këtyre manovrave, të cilat i sheh si një përgatitje për luftë.

Korea e Veriut ka lëshuar për herë të parë raketa të rrezes së shkurtër në fund të Korrikut, por që prej atëherë ka reaguar duke thënë se këto veprime janë ideuar specifikisht në kundërpërgjigje të manovrave SHBA-Kore e Jugut.

“Duke ditur se SHBA-të dhe forcat kukull të Koresë së Jugut vazhdojnë të shfaqin në skenë stërvitje si në një luftë bërthamore, veçanërisht kundër nesh, ne do të ndërmarrim të gjitha masat e nevojshme për vetëmbrojtje, që përfshijnë edhe hedhjen e raketave, testet bërthamore, si dhe çdo program tjetër”, lexohej në një deklaratë të publikuar nga media shtetërore koreano-veriore, gjatë së premtes së kaluar.

Peniani është nën ndikimin e sanksioneve të rënda të vendosura nga OKB dhe SHBA, në lidhje me programet e tij bërthamore dhe të raketave balistike. Raketat me rreze të shkurtër nuk shkelin kufizimet, por Peniani ka ndryshuar stilin propaganditesk gjatë muajve të fundit, duke përfshirë foto të liderit Kim Jong-un, duke mbikqyrur vet personalisht lëshimet e raketave.

Top Channel