Në një kohë kur vjedhja e Bankës së Shqipërisë ka mbërthyer të gjithë opinionin publik dhe qarqet politike në vend, për më shumë se 50 minuta, ambasadori amerikan Arvizu ka zhvilluar një takim me guvernatorin Fullani.

Ky ishte komenti i ambasadorit pas takimit në ambientet e Bankë së Shqipërisë.

“Vjedhja nga kjo bankë është shumë serioze. Është me rëndësi rivendosja e besimit për sa i përket anës së brendshme operacionale. Dua të nënvizoj se vjedhja u raportua nga banka. Tashmë kemi një hetim si çështje kriminale, që është duke u zhvilluar, siç edhe duhet të jetë, pasi jemi përballë një çështjeje serioze. Një çështje tjetër, që ka dalë në sipërfaqe, është menaxhimi dhe kontrolli i brendshëm. Ky incident i pakëndshëm na sjell në vëmendje se gjithmonë duhet të kemi një kontroll të brendshëm. Kjo bankë funksionon në bazë të modeleve perëndimore, duke bashkëpunuar me banka të tjera qendrore, por ky sistem duhet të përmirësohet dhe kjo është e rëndësishme për të ardhmen. Stabiliteti bankës është shumë i rëndësishëm në rrafshin ndërkombëtar, si dhe ekonominë e vendit. Ne e kuptojmë zemërimin e njerëzve dhe ata kanë të drejtë të zemërohen. Kjo është një ndjesi e natyrshme, por e rëndësishme është të lejohet hetimi. Në të njëjtën kohë banka, personeli dhe guvernatori, të lejohen të kryejnë detyrat e tyre në mënyrë profesionale dhe të pavarur”, u shpreh ambasadori Arvizu.

Sipas ambasadorit Arvizu, i takon edhe Parlamentit ta shikojë këtë çështje.

“Unë pres që kur të vij në Parlament, në Shtator, të kemi seanca dëgjimore dhe patjetër duhet të kemi të tilla, pasi qytetarët kanë të drejtë të informohen. Por, nga ana tjetër, banka duhet të funksionojë në mënyrë profesionale, të pavarur dhe në interes të vendit. Dhe kjo është me rëndësi për t’u kuptuar nga qytetarët”, shtoi më tej ambasadori Arvizu.

Top-Channel e pyeti ambasadorin Arvizu nëse, përballë një situate të tillë, Ardian Fullani duhet të vijojë punën si guvernator, apo të largohet.

“Kjo nuk më takon mua për ta vendosur. E rëndësishme është që banka të vijojë së funksionuari në mënyrë profesinale dhe të pavarur. Kjo është në rëndësinë e vendit. Procedurat janë, ai është guvernator i Bankës, ka një bord dhe Parlamenti ka rolin e vet. Në të tilla kushte, nuk i takon Shteteve të Bashkuara të Amerikës të adresojnë këtë çështje. Mesazhi, që Shtetet e Bashkuara duan të dërgojnë, lidhet me rëndësinë që merr stabiliteti i vendit. E kuptojmë mërzitjen e njerëzve, por tashmë kemi një proces, një mekanizëm, që fillimisht po merret me hetimin kriminal, por edhe atë të brendshëm, për t’i forcuar procedurat. Kështu njerëzit do të kenë besim dhe banka të ecë përpara”, përfundoi ambasadori Arvizu.

Aleksandër Arvizu ishte i pari diplomat perëndimor, i cili vizitoi Bankën e Shqipërisë, 3 javë pas vjedhjes së 7,1 milionë dollarëve. Mesazhi i tij ishte i qartë: krahas hetimit të Prokurorisë, tashmë i takon edhe Parlamentit të merret me këtë çështje.

Top Channel