Rama uron Erdoganin për zgjedhjen

13/08/2014 00:00

Zyra e shtypit në Këshillin e Ministrave njofton se “kryeministri Edi Rama i ka dërguar një mesazh urimi Presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, me rastin e fitores në zgjedhjet presidenciale”.

“Më lejoni – thotë Rama – që t’Ju përcjell urimet e mia më të ngrohta, si dhe përgëzimet e bashkëqytetarëve të mi, për fitoren Tuaj në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale. Shpreh bindjen time – thekson kryeministri Rama, – se në lartësinë e detyrës Suaj të re, Ju do të vijoni të jeni një kontribuues i madh në forcimin e marrëdhënieve vëllazërore mes dy vendeve tona dhe konsolidimin e bashkëpunimit tonë të frytshëm”.

“Fat të mbarë në vijimin e realizimit me sukses, të objektivit madhor për ndërtimin e Turqisë së re”, shkruan Rama në fund të urimit.

Rama njoftoi bisedën me kryeministrin në largim të Turqisë nëpërmjet rrjeteve sociale. “Urova telefonikisht Presidentin Erdogan për zgjedhjen e tij dhe folëm për zhvillimin e mëtejshëm të partneritetit strategjik mes dy vendeve”, tha Rama.

Turqia, së bashku me Greqinë dhe Italinë janë tre vendet e listuara si strategjike për bashkëpunim në programin e qeverisë Rama. Para dhe pas marrjes së detyrës vitin e shkuar, vetë Kryeministri Rama ka zhvilluar disa takime me Erdogan.

Erdogan u zgjodh president në zgjedhjet e së dielës duke fituar që në raundin e parë përballë dy kandidatëve kundërshtarë, njëri i opozitës turke dhe tjetri kandidat i dalë nga radhët e minoritetit kurd që jeton në Turqi.

Top Channel