Ministria: Janë punësuar 3 mijë persona

13/08/2014 00:00

Drejtori i Shërbimit kombëtar të punësimit, Genci Kojdheli përmes një deklarate i është përgjigjur akuzave të opozitës, duke theksuar se vetëm këtë vit janë punësuar 3 mijë persona më shumë se një vit më parë, përmes aplikimeve në zyrat e punës, dhe se në skemën e sigurimeve janë shtuar edhe 43 mijë qytetarë.

“Në periudhën janar-korrik 2013 zyrat kanë ndërmjetësuar më pak se 200 individë për çdo zyrë pune në vend. Në të njëjtën periudhë të vitit 2014 janë ndërmjetësuar 9.100 vende pune, ose 3 mijë vende më shumë se viti i kaluar. Gjithashtu, në 300 ditët e para kemi përfshirë në skemën e sigurimeve shoqërore, 43 mijë qytetarë që i janë shtuar në skemës kontribuente”, ka deklaruar Kojdheli.

Kojdheli ka theksuar se përmirësime ka edhe në fushën e biznesit, duke saktësuar se, ndërsa në vitin 2013 kishin aplikuar vetëm 63 biznese për nxitje, këtë vit shifra ka arritur në 345, ose 5 herë më shumë se viti i kaluar.

Ai ka shtuar më tej se, prej disa muajsh portali i Bashkisë së Tiranës është inaktiv dhe nuk ofron asnjë alternativë punësimi, ndërsa portali qeveritar ofron shumë vende për çdo muaj.

Top Channel